Zjarri ka përfshirë edhe ketë verë malin mbi fshatin Corroticë të Preshevës, duke shkaktuar dëme të mëdha në zonën pyjore. Përveç zjarrfikësve, edhe banorët lokalë janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e flakëve, për të shmangur rrezikun që kërcënon shtëpitë dhe natyrën përreth.
Pamjet nga terreni tregojnë se pishat, që përbëjnë një nga bukuritë natyrore më të rralla të zonës, janë tashmë në flakë.
Imam Nexhmedin Ademi nga fshati ka reaguar me indinjatë përmes një videoje të publikuar në rrjete sociale, ku shpreh dhimbjen për dëmtimin e natyrës dhe lë të kuptohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm: “E kanë vendos mos me lënë asnjë pishë të gjelbër. I mallkuar qoftë krimineli që nuk po e ndal dorën.”
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila në një postim në Facebook ka dhënë detaje mbi gjendjen në terren dhe masat e marra: “Me keqardhje të madhe ju njoftojmë se një zjarr i madh ka përfshirë zonën pyjore mbi fshatin Corroticë. Flakët janë përhapur me shpejtësi. Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme është aktivizuar menjëherë dhe është në koordinim të plotë me ekipet e zjarrfikësve që ndodhen në terren. Janë kontaktuar edhe shtabet përkatëse në Vrajë dhe komunat përreth për ndihmë të menjëhershme.”
Ajo ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe për shmangie të çdo lloj zjarri në natyrë, pasi kushtet e thatësisë dhe temperaturat e larta rrisin rrezikun për shpërthime të tjera.
“Falënderojmë të gjithë ata që janë në vijën e parë të përballjes me zjarrin dhe janë duke bërë maksimumin për ta vënë nën kontroll situatën,” ka theksuar Sinani.
Kujtojmë se edhe gjatë verës së kaluar një sipërfaqe e madhe e kësaj pjese të malit, e njohur ndryshe si “mushkëritë e Luginës”, është bërë shkrumb e hi. Zjarret e përsëritura kanë shkaktuar humbje të parikuperueshme për biodiversitetin lokal dhe kanë lënë pasoja të rënda në mjedis./LUGINALAJMI/