Pas refuzimit të Ministrisë së Informimit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Serbisë për të mbështetur asnjë nga projektet e paraqitura nga mediat në gjuhën shqipe në kuadër të thirrjes për bashkëfinancimin e përmbajtjeve mediatike për mediat online për vitin 2025, ka reaguar ashpër kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Ky është rasti i parë kur asnjë medium shqiptar nga Bujanoci dhe Presheva nuk ka përfituar mbështetje financiare nga kjo ministri, çka ka ngritur shqetësime serioze për qasjen diskriminuese dhe përjashtuese ndaj mediave shqiptare në Luginë. Në reagimin e tij, Rexhepi e ka cilësuar këtë vendim si skandaloz dhe si një shembull të pastër të diskriminimit institucional. Ai ka theksuar se, megjithëse kanë aplikuar rreth 15 organizata shqiptare, asnjëra prej tyre nuk është përzgjedhur për mbështetje, ndërkohë që janë financuar dy organizata nga Vranja – RTV Bujanoci dhe portali Koshtana – të cilat nuk kanë asnjë lidhje reale me komunitetin shqiptar, as për nga përbërja, as për nga misioni, dhe as për nga përfshirja në jetën shoqërore të shqiptarëve në Luginë. Sipas tij, ky është një përjashtim i qëllimshëm dhe i papranueshëm, ku mjetet që duhej të ndihmonin zhvillimin e mediave shqiptare përfundojnë në duar të atyre që prodhojnë “përmbajtje në shqip” pa shqiptarë dhe pa lidhje me realitetin e tyre. Rexhepi ka theksuar se edhe pse Këshilli Kombëtar Shqiptar ka dhënë mendim pozitiv për projektet e mediave shqiptare dhe mendim negativ për ato që përfundimisht janë përzgjedhur, Ministria ka injoruar tërësisht rekomandimet e këtij institucioni legjitim që përfaqëson interesat e shqiptarëve dhe që ka kompetenca edhe në fushën e informimit. Sipas tij, kjo tregon mungesë të plotë vullneti për bashkëpunim dhe vazhdimësi të një politike të njëanshme e përjashtuese që Beogradi po ndjek kundrejt shqiptarëve, ku vendimet merren në mënyrë arbitrare, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe pa respektim të përfaqësimit real të komunitetit. Ai përfundon duke thënë se nuk mund të ketë barazi në një shtet që përpiqet të zëvendësojë edhe zërin e shqiptarëve. Ndër mediat e refuzuara janë portali informativ Luginalajmi, televizioni RTV Aldi, platforma Info Wiki, si dhe organizatat qytetare që prodhojnë përmbajtje mediatike si “The Future” dhe “BE Active 16”. Vendimi i ministrisë ka ngjallur indinjatë në mesin e komunitetit mediatik shqiptar në Luginë të Preshevës, i cili e sheh këtë si një përjashtim sistematik, të pajustifikuar dhe të papranueshëm. E vetmja iniciativë në gjuhën shqipe që ka përfituar mbështetje është projekti “Talentët e rinj”, i paraqitur nga Radio Televizioni Bujanoci – një medium që, ndonëse transmeton në gjuhën shqipe dhe vepron në territorin e Bujanocit, drejtohet nga një pronar serb nga Vranja./LUGINALAJMI/