Një akt vandal ka tronditur qytetin e Bujanocit në mbrëmjen mes të premtes dhe të shtunës. Persona të maskuar, ende të paidentifikuar, kanë demoluar fotografinë dhe kornizën e Komandant Lleshit, të vendosur në sheshin “Skënderbej” (apo “Kragjorgje Petroviq” për komunitetin serb), në kuadër të manifestimeve që shënojnë 24-vjetorin e rënies së tij mbi fshatin Tërnoc.
Veprimi është filmuar qëllimisht nga autori i maskuar dhe është shpërndarë në rrjete sociale, duke u paraqitur si akt “patriotik”, çka ka shkaktuar një valë reagimesh të ashpra nga përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e cilësoi këtë si një sulm ndaj gjithë komunitetit shqiptar në Bujanoc:
“Sulmi ndaj figurës së Komandant Lleshit është sulm ndaj çdo shqiptari të Komunës së Bujanocit. Demolimi i figurës së tij është demolim i çdo tentative për të ndërtuar barazi e drejtësi. Ky sulm qyqar është produkt i politikave shoviniste – qoftë nga përfaqësuesit qendrorë politik serbë, qoftë nga satelitët e tyre lokalë.”
Reagim të fortë ka dhënë edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili dënoi publikisht këtë akt:
“Ky nuk është vetëm një dëmtim i një materiali promovues. Është një sulm i papranueshëm ndaj kujtesës sonë historike, kulturës dhe përpjekjeve për të nderuar figurat që kanë dhënë gjithçka për lirinë tonë. Akti nuk përfaqëson vlerat e komunitetit tonë dhe duhet të hetohet me seriozitet nga autoritetet.”
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i cili theksoi se ky nuk ishte një incident i rastësishëm:
“Dëmtimi i pllakatës përkujtimore kushtuar Komandant Lleshit është një akt i turpshëm, frikacak dhe provokues. Është përpjekje për të fyer identitetin dhe historinë tonë kolektive. Komandant Lleshi është simbol i qëndresës dhe nuk mund të fshihet nga memoria jonë.”
Përmes një reagimi të qartë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha:
“Sulmi ndaj figurës së Komandant Lleshit është sulm ndaj gjithë krenarisë sonë kombëtare. Të godasësh një simbol të rezistencës do të thotë të sulmosh çdo shqiptar që beson në dinjitet dhe drejtësi. Kjo frymë diskriminuese nuk guxon të kalojë në heshtje. Drejtësia duhet të flasë.”
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD), Shqiprim Musliu, ka shkuar më tej, duke e cilësuar aktin si të orkestruar nga Beogradi:
“Ky nuk është vetëm një skandal, por një veprim antishqiptar, i organizuar nga Beogradi me marionetat e tyre në Bujanoc. Ata nuk e pranojnë ende realitetin e lirisë sonë, as pas 24 vjetëve. Gjaku i dëshmorëve tanë do të përkujtohet përjetë.”
Ngjarja ka risjellë në vëmendje tensionet e vazhdueshme ndëretnike dhe nevojën për siguri e drejtësi në komunat me shumicë shqiptare. Ndërsa manifestimi për Ditët e Komandant Lleshit pritet të vazhdojë siç është planifikuar, institucionet dhe opinioni publik kërkojnë që ky akt i rëndë të mos mbetet pa përgjegjësi./LUGINALAJMI/