Njëri nga ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Koshares, e më pas pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Izet Limani, me emrin e luftës “Shpendi Trënovci”, ka reaguar me tone të thella emocionale pas aktit të rëndë vandal që ndodhi në sheshin e Bujanocit, ku u demolua fotografia e Komandant Lleshit.
Përmes një postimi në Facebook, Limani i është drejtuar djalit të Komandant Lleshit, Levent Qazimi, i cili aktualisht ushtron funksionin e ndihmës-kryetarit të Komunës së Bujanocit, duke e nxitur të prishë koalicionin me përfaqësuesit serbë, një pjesë e të cilëve janë të lidhur me mbështetësit e aktit vandal.
“Levent, baba me u pas konë gjallë, nuk kishte hamendu dy herë, por kishte vepru ashtu siç duhet me u bo. Ti nuk ke nevojë me ngritë Kështjellë – Kështjellën ta ka ngritë baba i jot. Ti veç mirmbaje kalanë e babës, kjo mjafton.”
Limani shpreh zhgënjimin ndaj heshtjes përballë këtij akti, duke theksuar se dëmtimi i simbolit të Komandant Lleshit nuk është një rastësi, por pjesë e një skeme të qëllimshme për të fyer kujtesën dhe sakrificën.
“Ujku n’turishtë nuk është risjellë me pa dije, por me plot vetëdije… Nga sot kurgja s’ju lanë më nga ky vandalizëm, përpos me vendosmëri me ua kthy shpresën popullit dhe me e kuptu që mjaft është mjaft.”
Në thirrjen e tij, Limani apelon me urgjencë që Levent Qazimi ta braktisë koalicionin politik me përfaqësuesit serbë dhe t’i bashkohet partive shqiptare në drejtimin e Komunës.
“Bëj thirrje për një kërkesë të pashmangshme që do të duhej të ishte për ju nga populli: o sot, o kurrë – prishne koalicionin! Levent, thuaje ti sot, edhe unë i bëj thirrje publike kryetarit të komunës, Arbër Pajaziti: merruni vesh me partitë shqiptare, sepse ju keni dalë të parët në zgjedhje, ju udhëhiqni komunën!”
Ky reagim i fortë vjen pas heshtjes institucionale përballë komenteve nxitëse nga persona të afërt me funksionarë serbë të komunës, që në mënyrë të tërthortë kanë përkrahur vandalizmin, përfshirë dhe komentin e Nemanja Arsiq, vëllai i ndihmës-kryetarit Stefan Arsić: “Bravo, ovo je Srbija bre 🇷🇸”.
Apeli i Limanit nuk është vetëm një mesazh për Levent Qazimin, por një thirrje më e gjerë për unitet dhe reagim politik kundër çdo forme të fyerjes institucionale dhe historike që i bëhet shqiptarëve në Luginë./LUGINALAJMI/