I njëjti fjalim, në të cilin kërkohen zgjedhje të parakohshme dhe paralajmërohet fillimi i mosbindjes civile, është lexuar të dielën në protestat që u mbajtën në mbi 30 qytete të Serbisë. Studentët kanë njoftuar se do të nisin veprime të mosbindjes civile në çdo qytet të vendit, duke theksuar se “nuk do t’i pengojnë qytetarët, por do ta pengojnë gënjeshtrën, padrejtësinë dhe korrupsionin”.
“Ju që jeni këtu, ashtu si gjatë këtyre muajve, jeni bashkuar në qëndresë. Më shumë se gjashtë muaj po kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë, kemi nisur valën më të madhe të protestave studentore në Evropë në 50 vitet e fundit. Kemi mbajtur tubimet më të mëdha protestuese në historinë e Serbisë, kemi arritur në çdo cep të vendit, kemi ecur qindra dhe kemi udhëtuar mijëra kilometra. Kemi rikthyer besimin dhe shpresën, për veten dhe për të tjerët, shpresën në një të ardhme më të mirë dhe besimin në një shoqëri të drejtë. Kemi inkurajuar botën akademike dhe arsimin që të ngrejnë zërin dhe kemi zgjuar popullin të luftojë për bindjet e veta”, thuhet në fjalimin e lexuar në protesta, të cilin e transmeton edhe televizioni N1.
Në fjalim theksohet se mungesa e respektimit të Kushtetutës minon themelet e një shoqërie demokratike, ndërsa studentët kërkojnë rikthimin e përgjegjësisë demokratike përmes mjetit të vetëm legjitim që u mbetet – vullnetit të popullit.
“Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ky moment duhet të njihet si një pikë kthese vendimtare për Serbinë. Zëri i të rinjve nuk është vetëm një zhurmë, por një valë që mund të sjellë ndryshimin, të rikthejë dinjitetin dhe të zgjojë shpresën për drejtësi dhe liri. Demokracia nuk duhet të mbetet vetëm një premtim i zbrazët”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Studentët kanë vlerësuar se korrupsioni është i rrënjosur thellë në aparatin shtetëror dhe se “prandaj kërkesat e tyre nuk janë, dhe nuk mund të jenë, të përmbushshme”.
“E vërteta është se ky sistem, bashkë me këtë pushtet, as mundet dhe as dëshiron t’i përmbushë këto kërkesa. Ne kemi shteruar çdo formë legjitime të kërkimit të drejtësisë në rrugë, duke iu drejtuar vetëm institucioneve të thirrura me ligj për të vepruar. Në vend të përgjigjeve kemi marrë fyerje, kërcënime, maltretime, gënjeshtra, ndalime, dhunë dhe gaz lotsjellës”, thuhet më tej në fjalim.
Studentët njoftuan se do të jenë para institucioneve, ministrive dhe mediave që, siç u shprehën ata, “i kanë heshtur”.
“Do të nisim mosbindjen civile në çdo qytet. Nuk do t’i pengojmë qytetarët – do ta pengojmë gënjeshtrën, padrejtësinë dhe korrupsionin”, ishte mesazhi i tyre.
Në fund të fjalimit, u theksua se ky “nuk është thjesht një protestë studentore, por protestë e arsyes dhe dinjitetit”.
“Protestë e çdo njeriu që është nënçmuar, por që ende ka pak besim. Një popull që nuk dëgjohet ka të drejtë të bërtasë, dhe një popull i shtyrë në cep ka të drejtë të mbrohet. Prandaj ju ftojmë, jo të luftoni për ne, por të luftojmë së bashku – deri në përmbushjen e kërkesave”, përfundon deklarata e lexuar mbrëmë në protestat në të gjithë Serbinë./LUGINALAJMI/