I nominuar për kryeministër të ri të Serbisë Gjuro Macut, ka publikuar listën e kandidatëve për ministra të rinj, ku mes emrave të propozuar është edhe Demo Berisha, një shqiptar nga Peja që jeton dhe vepron në Novi Sad. Ai është propozuar për postin e ministrit për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave Kombëtare dhe Dialogun Shoqëror.
Emri i Demo Berishës ka shkaktuar reagime të menjëhershme dhe të forta nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, të cilët e konsiderojnë atë si një figurë kontraverse për shkak të së kaluarës së tij si oficer në ushtrinë jugosllave gjatë luftës në Kosovë dhe qëndrimeve të tij publike që bien ndesh me interesat dhe ndjenjat e shqiptarëve.
Deputeti Shaip Kamberi e ka cilësuar këtë propozim si një “goditje të rëndë” për të gjithë shqiptarët që kanë rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e tyre në Serbi. Ai e ka quajtur Demo Berishën një simbol të mohimit të identitetit politik dhe kombëtar të shqiptarëve, duke theksuar se ky emërim është jo vetëm i papranueshëm politikisht, por edhe moralisht i turpshëm.
Në reagimin e tij, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka thënë se emërimi i Berishës nuk përfaqëson shqiptarët dhe se ky propozim është një provokim i hapur që synon të krijojë një imazh të rremë për integrim dhe përfaqësim. Sipas Rexhepit, Berisha është një figurë që mohon flamurin shqiptar, Republikën e Kosovës dhe glorifikon figura të diskutuara historike si Esat Pashë Toptani.
Në një tjetër reagim të fuqishëm, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se “Presheva nuk përfaqësohet me maska politike” dhe se ky emërim është një përpjekje për të mbuluar realitetin e vështirë të shqiptarëve në Serbi përmes emërimeve simbolike që nuk kanë përfaqësim të vërtetë.
Reagimet e deritanishme e kanë cilësuar këtë propozim si të rrezikshëm dhe fyese për të gjitha përpjekjet e deritanishme për barazi dhe drejtësi. Sipas tyre, Demo Berisha nuk përfaqëson interesat dhe zërin e shqiptarëve, por është shndërruar në një instrument propagandistik që i shërben narrativës politike të Beogradit./LUGINALAJMI/