Në vazhdën e reagimeve për ndarjen e mjeteve financiare për projektet mediale në Komunën e Bujanocit, ka reaguar edhe Sali Salihi, ish-shef i kabinetit të kryetarit të Komunës dhe zyrtar i lartë i Partisë Demokratike, i njohur si bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit të PD-së, Nagip Arifi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salihi ka vënë në pikëpyetje deklaratën e kryetarit aktual të komunës, Arbër Pajaziti, i cili një ditë më parë u shpreh i “befasuar” nga rezultatet e publikuara në sistemin JIS për ndarjen e fondeve për media.
“Çfarë befasie?! A thu përnime? Qysh ka mundësi m’u befasu me një vendim të cilin vet e ka sjellë?”, ka shkruar Salihi, duke iu referuar një vendimi të datës 2 qershor 2025, përmes së cilit Këshilli Komunal i Komunës së Bujanocit, me firmën e kryetarit Pajaziti, ka miratuar formimin e Komisionit për vlerësimin e projekteve në fushën e informimit.
Salihi thekson se më 17 qershor 2025, komisioni ka përpiluar procesverbalin e ndarjes së mjeteve financiare dhe ka sjellë propozimin konkret për mbështetjen e mediave. “As atëherë nuk është befasu!”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se kryetari ka qenë i informuar gjatë gjithë kohës për ecurinë e procesit.
“E për mos m’u befasu edhe më tej – e ka shancin që në seancën e radhës të Këshillit Komunal ta anulojë këtë konkurs”, ka shtuar Salihi me ironi, duke publikuar gjithashtu foto të vendimit të Këshillit Komunal për emërimin e komisionit për informim, të cilat – sipas tij – gjenden edhe në faqen zyrtare të komunës.
Në fund të reagimit të tij, ai përmend me sarkazëm edhe një rast tjetër nga ndarja e fondeve: “P.S. ‘Koshtana’ që dikur ishte fabrikë e këpucëve, sot është shndërru në portal informativ. Për mos me falimentu si fabrika, komuna jonë e kishte ndihmu me 180.000 dinarë.”
Reagimi i Salihit vjen pas reagimeve të tjera nga përfaqësues opozitarë në komunë, të cilët kanë kritikuar ndarjen e mjeteve për media, veçanërisht për pabarazinë midis mediave në gjuhën shqipe dhe atyre në gjuhën serbe, si dhe për përfshirjen e mediave nga qytete të tjera jashtë Bujanocit./LUGINALAJMI/