Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione direkte ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ndërsa akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se nuk e dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.
Në seancën e Qeverisë së Serbisë, Vuçiç tha se vendosja e sanksione amerikane do të vendosë Beogradin zyrtar në pozitë të vështirë.
“Problemet me rafinerinë dhe gjigantët tanë të tjerë pasojnë, në thelb me mbijetesën e ekonomisë”, tha Vuçiç, duke shtuar se ai do të fliste me ambasadorin amerikan Christopher Hill dhe se më parë kishte biseduar me sekretarin amerikan të Rritjes Ekonomike Jose Fernandez.
Vuçiç ka bërë të ditur se do të kenë 30 ditë për të vlerësuar situatën, dhe se vendimin përfundimtar duhet ta marrin deri më 15 shkurt.
Ai kërkoi nga qeveria serbe formimin e dy ekipeve, njëra për marrëveshjen e gazit dhe tjetra për NIS dhe u caktua një seancë e re për ditën e diel.
Vuçiç paralajmëroi se do të kërkojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin rreth datës 25 janar.
Duke folur për Kosovën, Vuçiç vuri në dukje se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit, “pasi është një faktor përçarës për të”. Ai kërkoi nga kreu i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Petar Petkoviq që “të ndërmerr masa shtesë.”
Kujtojmë, qe nga 2008, NIS është në pronësi të shumicës së kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft dhe kompanisë së saj ombrellë Gazprom. BE dhe SHBA vendosën Gazprom Neft në listën e zezë në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.