Dje, Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), njoftoi se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Shoqëror e Serbisë ka refuzuar të çertifikojë zgjedhjen e tij si kryetar, e cila ishte miratuar më 27 dhjetor nga Kuvendi i Këshillit Kombëtar Shqiptar, sipas marrëveshjes politike ndërmjet subjekteve qeverisëse.
Në përgjigjen zyrtare të Ministrisë, përveç refuzimit të çertifikimit, kërkohet gjithashtu nga udhëheqësia e KKSh-së që të anulohet vendimi për financimin e bujqve shqiptarë në Luginë të Preshevës nga fondi i Qeverisë së Kosovës.
Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, reagoi ashpër përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se Serbia po tenton për të disfavorizuar shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai e cilësoi këtë si një ndërhyrje politike që shkel të drejtat e shqiptarëve dhe përpjekje për të minuar funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, me qëllim që ky të mbetet i pafuqishëm për të mbrojtur interesat e shqiptarëve në rajon.
Bislimi gjithashtu theksoi se mbështetja e Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës është legjitime dhe e nevojshme, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë dhe do të rrisë mbështetjen vit pas viti, pavarësisht pengesave të Serbisë. Ai apeloi gjithashtu që komuniteti ndërkombëtar të jetë vigjilent ndaj këtyre zhvillimeve dhe përpjekjeve të Serbisë për të shkelur të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës./LUGINALAJMI/