Zyrtarët shtetërorë të Serbisë nuk e kanë lejuar ministrin e Kulturës të Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, që të vizitojë Preshevën.
Lajmin e ka bërë publik kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, përmes një njoftimi, ku e cilëson këtë veprim si diskriminim ndaj shqiptarëve të Luginës.
“Serbia sërish ndalon Ministrin e Kosovës – diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon! Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve,” shkroi Sinani.
Sipas saj, shqiptarët e Luginës vazhdojnë të përballen me izolim dhe diskriminim sistematik, ndërsa Perëndimi vazhdon të tolerojë regjimin serb për arsye gjeostrategjike.
“Por ne nuk ndalemi! Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë. Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë,” përfundoi ajo.
Ky veprim i autoriteteve serbe ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa pritet që institucionet ndërkombëtare të adresojnë këtë çështje në kuadër të të drejtave të njeriut dhe lirisë së lëvizjes./LUGINALAJMI/