Ditën e premte, sheshi i pjesës së vjetër të Bujanocit u bë dëshmitar i një ngjarje që ngriti shumë pikëpyetje dhe shqetësime. Kryetari i Komunës, Abër Pajaziti, i shoqëruar nga drejtori i Organizatës Turistike, Adem Salihi, përuruan një konstrukcion metalik të titulluar “Welcome to Bujanovac”, i shkruar në katër gjuhë. Por ajo që u bë menjëherë e dukshme ishte një gabim i papranueshëm: shkrimi në gjuhën shqipe, i cili ishte shndërruar në një version të Serbizuara, duke e shtrembëruar emrin e qytetit nga “Bujanoc” në “Bujanovac”.
Reagimi ka qenë i shpejtë dhe i ashpër. Alban Alili, anëtar i kryesisë së PVD-së në Bujanoc, e quajti këtë akt si një skandal të hapur dhe një shkelje të rëndë të identitetit shqiptar. Alili theksoi se nuk ka asnjë arsye për të përdorur “Bujanovac” në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një tentativë për të fshirë identitetin dhe trashëgiminë e qytetit. Ai shtoi se ky gabim nuk duhet të kalojë pa u korrigjuar menjëherë, pasi Bujanoci është emri i duhur dhe i njohur nga shqiptarët që jetojnë atje.
Në një qytet me shumicë shqiptare, është e papranueshme që qeverisja lokale të dështojë në ruajtjen e integritetit të gjuhës dhe kulturës së komunitetit të saj. Gabimi i këtillë tregon një mungesë të qartë të respektit për gjuhën dhe traditat shqiptare, ndërsa shtrembërimi i emrit të qytetit është një mesazh shqetësues për identitetin e qytetarëve.
Për më tepër, ky incident nuk është një rast i izoluar, por një pasqyrë e shërbimeve që, ndonëse janë përkujdesur për zhvillim, kanë neglizhuar rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në vendin e vet. Nëse ky skandal nuk korrigjohet sa më shpejt, ai mund të dëmtojë rëndë marrëdhëniet mes qytetarëve dhe autoriteteve lokale, dhe të thellojë edhe më shumë ndarjet në këtë zonë.
Ky skandal është një thirrje për reflektim dhe veprim të menjëhershëm nga autoritetet lokale, për të shmangur rrezikun e humbjes së identitetit dhe respektit për popullin shqiptar që jeton në këtë rajon./LUGINALAJMI/