Vëllai i ndihmës-kryetarit të Komunës së Bujanocit, Stefan Arsiq, Nemanja Arsiq ka shprehur hapur mbështetje për aktin vandal që ndodhi në qendër të qytetit, ku një person i maskuar demoloi kornizën me fotografinë e Komandant Lleshit, të vendosur si pjesë e manifestimeve për 24-vjetorin e rënies së tij.

Ky veprim i turpshëm, i regjistruar me video dhe i cilësuar si“ akt patriotik”, ndodhi mbrëmë në sheshin kryesor të Bujanocit dhe ka shkaktuar një valë të re reagimesh politike. Në këtë kontekst, Nemanja Arsiq, vëllai i ndihmës-kryetarit Stefan Arsiq, ka komentuar publikisht në portalin “Bujanovačke” me fjalët:
“Bravo, ovo je Srbija bre (me flamurin serb të vendosur)”,
duke e përshëndetur hapur vandalizmin dhe duke e portretizuar atë si një akt nacionalist.
Ky koment vjen në një moment kur vetë ndihmës-kryetari Stefan Arsiq ndan kabinetin në Komunën e Bujanocit me Levent Qazimi, ndihmës-kryetar tjetër dhe djali i Komandant Lleshit – duke e bërë aktin edhe më të ndjeshëm politikisht dhe moralisht.
Reagimi i këshilltarit Ragmi Mustafi
Në reagimin e tij publik, këshilltari Ragmi Mustafi ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e menjëhershëm të Stefan Arsić nga pozita e tij në komunë, duke e lidhur mbështetjen e vëllait të tij me përgjegjësi institucionale:

“Mbrëmë, në qendër të komunës së Bujanocit, është vandalizuar bilbordi paralajmërues për Ditët e Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit, një nga figurat më emblematike të qëndresës shqiptare. Ky nuk është një akt i izoluar vandalizmi, por pjesë e një fushate sistematike urrejtjeje të mirëorkestruar.”
“Nëse kryetarit të komunës, Arbër Pajaziti, i ka mbetur një pikë dinjiteti – ai duhet ta shkarkojë menjëherë ndihmësin e tij, për të mos u bërë bashkëfajtor në këtë klimë të ndyrë racizmi institucional.”
Ky zhvillim vjen në një kontekst gjithnjë e më të tensionuar ndëretnik në Bujanoc, ku aktet e tilla jo vetëm që dëmtojnë bashkëjetesën, por synojnë edhe të godasin identitetin dhe kujtesën historike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës./LUGINALAJMI/
