Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si dhe aktivistet Drita Zumberi dhe Flora Ferati, kanë zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Berlin, në kuadër të një vizite treditore për avokimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sipas postimeve të Kamberit dhe Rexhepit, delegacioni nga Lugina është takuar me deputetin gjerman Peter Beyer – anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Bundestag – si dhe me z. Niels von Redecker, drejtor i Divizionit për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, i shoqëruar nga znj. Katalina Karsai, referuese për Shqipërinë.
Gjithashtu, është zhvilluar një takim në selinë e Fondacionit Friedrich Ebert-Stiftung me znj. Helene Kortlander, ku është diskutuar mundësia e zgjerimit të veprimtarisë së këtij fondacioni edhe në Luginë të Preshevës.
Në fokus të këtyre takimeve ka qenë gjendja politike dhe e sigurisë në Luginë, me theks të veçantë në diskriminimin institucional që shqiptarët përjetojnë ndër vite nga autoritetet shtetërore në Serbi.
Vizita është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe synon sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për sfidat strukturore dhe mungesën e të drejtave themelore për shqiptarët në jug të Serbisë.
Takimet e radhës janë paraparë të zhvillohen gjatë të martës dhe të mërkurës, në kuadër të kësaj fushate avokuese ndërkombëtare./LUGINALAJMI/