Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, para dy ditëve ka pritur në takim biznesmenin serb Petar Komljenoviq, president i kompanisë “Interspeed”, e cila ka objektin e saj pranë pikëkalimit kufitar në territorin e Preshevës, midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pas takimit me Komljenoviqin, kryetarja Sinani deklaroi se ishte një takim i frytshëm për zhvillimin ekonomik të Preshevës, ku u prezantuan planet për një qendër tregtare 20,000 m², e cila pritet të funksionojë 365 ditë në vit, duke krijuar mbi 1000 vende pune. Ajo theksoi se komuna do të mbështesë çdo iniciativë që sjell investime dhe përmirëson jetën e qytetarëve.
Pas këtij takimi, analisti dhe gazetari nga Kosova, Lirim Mehmetaj, reagoi duke kritikuar bashkëpunimin e Sinanit si kryetare e komunës dhe (ish) këshilltare e kryeministrit Kurti me biznesmenin Pertar Komljenoviqin, të cilin e cilëson si ish-bashkëpunëtor të Marko Millosheviqit, djalit të ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviç. Sipas Mehmetajt, Komljenoviq ishte i përfshirë në kontrabandën e cigareve në vitet ’90 dhe kishte lidhje me autoritetet serbe, duke përfshirë edhe partinë e Aleksandër Vuçiqit. Ai akuzoi se ky takim tregon një lidhje të mundshme edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke pasur parasysh që Sinani është (ishte) këshilltare e tij.
Në përgjigje të këtyre akuzave, shefi i kabinetit të kryetares së Preshevës, Besim Shabani, i quajti spekulime dhe dezinformata pretendimet e Mehmetajt. Ai theksoi se Komuna e Preshevës ka për detyrë të jetë e informuar mbi zhvillimet ekonomike në territorin e saj dhe se takimi me kompaninë “Interspeed” ishte pjesë e kësaj qasjeje transparente. Kabineti i Sinanit akuzoi Mehmetajn dhe mediat që raportuan mbi këtë çështje për përdorimin e sulmeve politike të pabazuara dhe përpjekje për të përfshirë kryeministrin Kurti në një debat pa lidhje konkrete.
Pavarësisht këtyre polemikave, Komuna e Preshevës ka përsëritur angazhimin e saj për të vazhduar punën në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të saj./LUGINALAJMI/