Partitë serbe që garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë nuk kanë paraqitur një program të qartë për komunitetin serb, ndërsa janë shfaqur ankesa për tentativat e blerjes së votave. Këtë ka deklaruar Dushan Radakoviq, koordinatori i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” për rajonin e veriut, gjatë një intervistë për KosovaPress. Radakoviq, gjithashtu drejtor ekzekutiv i Qendrës për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike në veri të Mitrovicës, theksoi se partitë serbe kanë komentuar më shumë deklaratat e liderëve shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë, sesa të merren me shqetësimet e qytetarëve serbë.
“Partitë serbe nuk kanë diskutuar për programin dhe prioritetet e tyre, por janë fokusuar kryesisht në kritikat për korrupsionin e të tjerëve,” tha Radakoviq. Ai gjithashtu përmendi ankesa nga partia “Demokracia Serbe”, e cila ka akuzuar partitë tjera për heqjen e posterëve dhe përgatitjen e blerjes së votave gjatë ditës së zgjedhjeve.
Një incident mes subjekteve serbe ka ndodhur para dy ditësh në Graçanicë, kur një kandidat i Listës Serbe ka penguar partinë e serbëve të Kosovës gjatë një tubimi me qytetarët. Megjithatë, Radakoviq është optimist se zgjedhjet e 9 shkurtit do të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
“Demokracia Serbe ka raportuar dy raste, ku persona të panjohur kanë hequr posterët e tyre, dhe ka pasur ankesa për përpjekje të blerjes së votave. Të dyja rastet janë raportuar në polici,” shtoi ai. Radakoviq gjithashtu bëri të ditur se nuk janë vërejtur raste të përdorimit të fëmijëve në fushatën zgjedhore të partive serbe./LUGINALAJMI/