Kryeministri i Qeverisë së Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka theksuar sot se është “e sigurt” që do të ketë mësim në shkolla gjatë gjysmës së dytë të vitit shkollor, dhe se mësuesit që nuk duan të mbajnë mësim, nuk do të mund të punojnë më në arsiminin publik. Ai gjithashtu theksoi se nxënësit që nuk do të paraqiten në mësime do të marrin absenza të paarsyetuara.
Në një intervistë të dhënë në Matica Srpska në Novi Sad, Vuçeviq tha se studentët mund të angazhohen në bllokada sa të duan, por që është thelbësore që shkollat të funksionojnë dhe se për këtë nuk do të ketë kompromise.
“Të gjithë duhet të kenë kujdes, dhe ata që nuk duan t’u japin nxënësve nota, duhet të mendojnë mirë, sepse inspektorati arsimor do t’i shqyrtojë të gjitha rastet. Shteti nuk do të heshtë, nuk do të luajmë me këtë çështje. Nëse doni të provoni nëse shteti është i vendosur, ju këshilloj të mos e provoni, por nëse dëshironi, do të shihni se shteti do të reagojë. Nuk dëshironi të punoni? Ka të tjerë mësues që do të punojnë,” tha Vuçeviq.