Në një tjetër episod të politikës spektakolare serbe, presidenti Aleksandar Vuçiq, me një cinizëm të lehtë por të llogaritur, falënderoi “komshinjtë kroatë dhe shqiptarët në Prishtinë” për “kënaqësinë” që, sipas tij, ata ndjejnë për “nokdaunin” e tij. Nëse dikush e ka ndjekur me kujdes rrugën e tij politike, ky lloj performimi i viktimizimit nuk është asgjë e re. Kjo është një skemë e njohur dhe e vjetër, ku çdo krizë e brendshme përkthehet në një sulm të jashtëm, çdo dështim institucional bëhet një komplot ndërkombëtar, dhe çdo lëkundje e pushtetit të tij kthehet në një dramë kombëtare.
Shkruan: Ragmi MUSTAFI
Në fakt, ky “nokdaun” nuk ka ardhur nga Prishtina, Zagrebi apo ndonjë qendër perëndimore, por nga vetë struktura e kalbur e pushtetit të tij. Serbia është në krizë të thellë dhe Vuçiq po mundohet ta menaxhojë atë me mjetet e tij të zakonshme: manipulimin e opinionit publik, përdorimin e retorikës nacionaliste dhe fabrikimin e armikut imagjinar.
Dje kemi parë një seri dorëheqjesh që tregojnë se diçka po gëlon brenda regjimit të Vuçiq-it. Millosh Vuçeviq, kryeministri besnik dhe dhe numri 2 i SNS-it, ka lënë detyrën në mënyrë të papritur. Pas tij, edhe Milan Gjuriq, kryetari i Novi Sadit, është larguar nga posti i tij. Nëse këto dorëheqje ishin pjesë e planit të orkestruar nga vetë Vuçiq për të riformatuar pushtetin, apo rezultat i përçarjeve të brendshme në SNS, mbetet për t’u parë.
Është e qartë se këto largime nuk janë thjesht raste të izoluara. Ato sinjalizojnë një tension të brendshëm të akumuluar, ku fraksionet brenda SNS po fillojnë të shfaqin shenja të lodhjes nga sistemi që funksionon vetëm në bazë të frikës dhe besnikërisë absolute ndaj një njeriu të vetëm.
Dhe si për ta bërë skenarin edhe më dramatik, qeveria e Serbisë mbajti mbledhje të jashtëzakonshme. Askush nuk di çfarë është diskutuar konkretisht, sepse në Serbi nuk ka më institucione funksionale që i japin llogari qytetarëve. Kjo mbledhje duket më shumë si një ritual i përhershëm i pushtetit të Vuçiq-it, ku zyrtarët e tij mblidhen për të dëgjuar se çfarë duhet të besojnë dhe si duhet të sillen në vijim.
Në çdo demokraci funksionale, dorëheqja e kryeministrit do të përbënte ngjarjen më të rëndësishme politike që do të kërkonte transparencë, diskutim të hapur dhe debat publik. Në Serbi, ajo kthehet në një akt misterioz, ku vendimet merren pas dyerve të mbyllura dhe qytetarët lihen të informohen vetëm nga monologët e presidentit në TV.
Ndërkohë që në nivel qendror ndodhin këto lëvizje, në qytete po ndodh një tjetër proces tipik i regjimeve autoritare: spastrimi politik në administratën publike. Punonjës të administratës së komunave janë larguar për t’u zëvendësuar me individë të zgjedhur sipas kritereve të besnikërisë absolute ndaj parties/liderit.
Ky model është i njohur në Serbi. Administrata publike nuk është në shërbim ndaj qytetarëve, por instrument kontrolli politik, ku çdo individ që nuk është pjesë e sistemit të Vuçiq-it bëhet i padëshiruar. Ky është pushteti që nuk synon të ndërtojë institucione të qëndrueshme, por të sigurojë që gjithçka – nga vendimet në nivel qendror, deri te punësimi në një zyrë administrative lokale – të mbetet nën kontroll të plotë.
Duke u kthyer te deklarata e tij për “nokdaunin”, Vuçiq është duke ndjekur skenarin që e ka përsëritur disa herë gjatë sundimit të tij: kur pushteti i tij tronditet, ai nuk pranon të pranojë përgjegjësinë, por shpik armik të jashtëm që i shërben si justifikim.
Në këtë rast, “armiqtë” janë shqiptarët dhe kroatët, të cilët – sipas fabulës së tij – po shijojnë krizën e tij politike. Ky mesazh i drejtuar për konsum të brendshëm, një përpjekje për të mobilizuar votuesit e tij të zakonshëm, të cilët janë të ushqyer me retorikën e përhershme se Serbia është gjithmonë nën sulm.
Në realitet, Serbia nuk është nën sulm nga jashtë. Ajo është nën sulm nga regjimi jodemokratik që po e ndrydh ngadalë çdo hapësirë demokratike, që po pastron administratën nga njerëz të pavarur dhe që po shndërron çdo krizë të tijën në një spektakël propagandistik.
Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq përballet me sfida të mëdha, dhe ai gjithmonë ka gjetur mënyrën për t’i mbijetuar atyre. Por a mund të vazhdojë pafundësisht kjo strategji?
Nëse Vučić fillon të humbasë kontrollin mbi strukturën e partisë së tij, ai do të përballet me krizë të vërtetë.
Vuçiq nuk mund të vazhdojë të luajë me BE-në dhe SHBA-në pafundësisht. Në një moment, ai do të duhet të zgjedhë mes përmbushjes së kërkesave të tyre dhe mbajtjes së imazhit të tij si lider “i pathyeshëm”.
Me gjithë kontrollin e mediave, me gjithë represionin ndaj opozitës, pakënaqësia sociale është reale dhe nuk mund të zgjidhet me monologë në televizion.
Pra, pyetja nuk është nëse Vuçiq do të vazhdojë të përdorë strategjinë e tij të zakonshme, por nëse Serbia do të vazhdojë ta pranojë atë. Në një moment, realiteti e kap çdo regjim, dhe atëherë asnjë “nokdaun” i sajuar nuk do të mund ta shpëtojë më.