Sot mbushen 32 vjet nga ndarja tragjike nga jeta e Rexhep Hasanit, njërit prej themeluesve të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe sekretarit të parë të saj. Hasani humbi jetën në një aksident trafiku, duke lënë pas një veprimtari të rëndësishme politike dhe kombëtare në Luginën e Preshevës.
Rexhep Hasani ishte ndër figurat kryesore të organizimit politik të shqiptarëve në Luginë në fillim të viteve ’90. Ai kontribuoi në themelimin e partisë së parë politike shqiptare në rajon – Partisë për Veprim Demokratik – si dhe në organizimin e protestave për mbrojtjen e shkollave shqipe dhe të drejtës për arsim në gjuhën shqipe në Bujanoc.
Me rastin e 32-vjetorit të vdekjes së tij, kryetari i PVD-së ka kujtuar veprimtarin Rexhep Hasani përmes një postimi në Facebook.
“Respekt e mirënjohje për veprimtarin Rexhep Hasani.
Në 32-vjetorin e ndarjes nga jeta të Rexhep Hasanit, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje një nga veprimtarët më të rëndësishëm të organizimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Si një ndër themeluesit dhe sekretari i parë i Partisë për Veprim Demokratik, ai dha kontribut të çmuar në ngritjen e organizimit të pavarur politik, institucioneve shqiptare në Luginën e Preshevës dhe në organizimin e proceseve historike, përfshirë Referendumin e vitit 1992.
Në kohë të vështira, Rexha mbeti i palëkundur në mbrojtje të demokracisë, pluralizmit dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Me përkushtimin dhe veprën e tij, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë politike të Luginës së Preshevës.
I paharruar qoftë kujtimi për Rexhep Hasanin – Rexhën”, thuhet në postimin e kryetarit të PVD-së./LUGINALAJMI/



