Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur sot, më 16 shtator 2026, aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas aktgjykimit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burg.
Trupi gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krime lufte që përfshijnë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në dënimet e shqiptuara do të llogaritet koha që të akuzuarit kanë kaluar në paraburgim.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar akuzat gjatë gjithë procesit gjyqësor. Prokuroria kishte kërkuar dënime prej 45 vjetësh burg për secilin prej tyre, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar lirimin nga akuzat.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së kishte nisur më 3 prill 2023. Gjatë procesit dëshmuan 134 dëshmitarë, ndërsa procedura e paraqitjes së provave u mbyll në dhjetor të vitit 2025.
Vendimi i shpallur sot është aktgjykim i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë atë./LUGINALAJMI/



