Komisioneri për mbrojtjen e barazisë në Serbi, Milan Antonijeviq, ka vlerësuar se projektligji që po shqyrtohet në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me diskriminimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përbën një sinjal për nevojën e dialogut të shtuar dhe për tregimin e progresit nga ana e Serbisë. Në një deklaratë për Euronews Serbia, Antonijeviq ka theksuar se këtë nismë ligjore e sheh si një nxitje për punë institucionale.
Sipas tij, bëhet fjalë për një propozimligj dhe jo për një akt të përfunduar, pasi procedura përfshin disa hapa të tjerë, përfshirë miratimin në Senat dhe nënshkrimin nga presidenti i SHBA-së. Ai ka theksuar se ka ende disa etapa deri në përfundimin e procesit ligjvënës, por se ajo që shteti i Serbisë ka bërë në vitet e fundit, sipas raporteve të institucionit që ai drejton, tregon përkushtim të veçantë ndaj dialogut me Luginën e Preshevës, përfshirë Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
Antonijeviq ka bërë të ditur se institucioni i Komisionerit për mbrojtjen e barazisë ka pasur ankesa lidhur me diskriminimin, të cilat, sipas tij, janë trajtuar dhe zgjidhur. Ai ka përmendur se këto ankesa kanë të bëjnë me raste të grafiteve me gjuhë urrejtjeje, mesazhe të tjera me përmbajtje diskriminuese, si dhe çështje në fushën e arsimit dhe tema të tjera që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve. Sipas tij, një nga treguesit e përparimit institucional lidhet edhe me proceset e regjistrimit dhe legalizimit të objekteve.
Duke u ndalur te çështja e pasivizimit të adresave, Antonijeviq ka deklaruar se kjo temë meriton vëmendje, por se sipas tij, institucionet po merren me këto çështje prej kohësh. Ai ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë pasur ankesa formale në këtë fushë, por ka theksuar se bëhet fjalë për një të drejtë të rëndësishme, veçanërisht në periudha zgjedhore. Sipas tij, në rast të trajtimit të pabarabartë, institucionet do të reagojnë në përputhje me kompetencat e tyre.
Ai ka paralajmëruar se në javët në vijim do të ketë vizita në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe takime me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Pakicës Shqiptare, me qëllim që të zhvillohet dialog me komunitetin dhe të inkurajohet mbështetja në institucionet e Serbisë, përfshirë institucionin e Komisionerit dhe institucionet përkatëse shtetërore.
Sipas Antonijeviqit, çështjet që janë bërë temë e debatit publik meritojnë vëmendje dhe nuk duhet të neglizhohen. Ai ka shtuar se është e nevojshme të zhvillohet dialog edhe me institucionet kompetente, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organet që merren me listat zgjedhore dhe çështje të tjera të lidhura. Sipas tij, këto tema janë trajtuar edhe më herët dhe nuk lidhen vetëm me nismën ligjore të paraqitur në Kongresin amerikan.
Në fund, Antonijeviq ka theksuar rëndësinë e rritjes së vetëdijes së pakicës shqiptare për përdorimin e institucioneve të Serbisë në realizimin e të drejtave të tyre. Ai ka bërë të ditur se po rriten kapacitetet e qytetarëve për të ushtruar të drejtat e tyre para institucioneve, duke përmendur edhe proceset e regjistrimit dhe legalizimit të objekteve si shembuj të fushave ku pjesëmarrja e qytetarëve mund të tregojë nivelin e bashkëpunimit institucional./LUGINALAJMI/



