-Foto nga arkivi-
Ministri për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror në Serbi, Demo Berisha, ka deklaruar se çështja e të drejtave të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë duhet të zgjidhet në Beograd dhe jo në Uashington, duke theksuar se në Serbi nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut apo të pakicave dhe se nuk ka asnjë bazë për pretendimet se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara.
Duke komentuar propozimin e ligjit të kongresmenit amerikan Keith Self për pozitën e pakicave në Serbi, i cili është miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, Berisha tha për Kosovo Online se bëhet fjalë vetëm për fillimin e një procesi dhe se ende mbetet të shihet nëse ky akt do të miratohet përfundimisht. Ai shtoi se propozimi nuk ka të bëjë ekskluzivisht me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por flet për të drejtat e njeriut në Serbi, me theks të veçantë në këtë rajon.
“Si ministër për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, mund të them me përgjegjësi të plotë se në Serbi nuk ka shkelje as të të drejtave të njeriut dhe as të të drejtave të pakicave. Ka fusha që mund të përmirësohen, por kur shihen temat e theksuara në këtë propozim, është e qartë se bëhet fjalë për përpjekje për politizim”, tha Berisha.
Lidhur me pasivizimin e adresave, që përmendet në këtë akt, Berisha theksoi se ky është një procedurë që zbatohet për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe jo vetëm për shqiptarët. Sipas tij, pasivizimi i adresës nuk nënkupton humbjen e të drejtës për banim, por një ndërprerje administrative e përkohshme, e cila mund të rregullohet brenda afateve ligjore pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai vlerësoi se problemi është ngritur në nivel politik për shkak të, siç tha, mungesës së interesimit të qytetarëve për ta rregulluar statusin e tyre.
Sa i përket njohjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës, Berisha kujtoi se kjo çështje është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe është rregulluar përmes dialogut. Sipas tij, diplomat verifikohen përmes Brukselit dhe më pas dërgohen në Beograd për njohje, duke mohuar pretendimet se Serbia nuk i njeh fare këto diploma, por duke theksuar se nuk pranohet “njohja direkte” siç kërkojnë institucionet e Prishtinës.
Ai akuzoi për “përzierje politike” udhëheqës lokalë në Preshevë, duke përmendur se kryetarja e komunës, Ardita Sinani, është edhe këshilltare e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ndërsa Ragmi Mustafi këshilltar i Besnik Bislimit, çka sipas tij tregon përpjekje për të ushtruar presion politik dhe për të lidhur çështjen e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Berisha theksoi se nuk ka asnjë problem në Bujanoc, ku sipas tij pushteti është multietnik dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve ka dhënë rezultate pozitive. Ai shtoi se u ka bërë thirrje komunave të Preshevës dhe Bujanocit që të propozojnë kuadro për përfshirje në gjyqësor, prokurori dhe diplomaci, por se nuk ka pasur përgjigje.
“Ju nuk mund të thoni se shqiptarët nuk janë të përfshirë në sistem, nëse vetë nuk merrni pjesë. Nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut apo të pakicave ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por ka mungesë vullneti për bashkëpunim”, theksoi ai.
Ministri paralajmëroi edhe për deklaratat e Ragmi Mustafës pas miratimit të propozimit në SHBA, duke i quajtur ato të rrezikshme, sepse sipas tij bëjnë paralele me ngjarjet që çuan në konfliktin e vitit 1998 në Kosovë. Ai shtoi se duhet pasur parasysh se në Preshevë jetojnë edhe serbë, të drejtat e të cilëve duhet të respektohen po ashtu.
Berisha kritikoi edhe deputetin Shaip Kamberi, duke thënë se ai duhet të japë kontribut më të madh për bashkëjetesën dhe se “e ardhmja e të drejtave të shqiptarëve nuk zgjidhet në Uashington, por me dialog në Beograd”.
Në fund, Berisha u bëri thirrje shqiptarëve në Serbi që të tregojnë më shumë guxim dhe t’i zgjidhin problemet përmes institucioneve të Serbisë, e jo përmes Prishtinës, Tiranës apo Uashingtonit. “Problemet zgjidhen në Beograd, në shtëpi”, theksoi ai, duke shtuar se Serbia, sipas tij, ndjek politikë paqeje dhe se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.



