Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i shoqëruar nga kryetari i degës së PVD-së në Bujanoc, Ragmi Mustafi, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Uashington, ku kanë zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane.
Kamberi ka bërë të ditur se në kryeqytetin amerikan ka pranuar personalisht nga kongresisti Keith Self kopjen e Rezolutës H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, dokument që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
“Sot, në Uashington, kongresisti amerikan Keith Self ma dorëzoi personalisht H.R. 6411 – ligjin që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të SHBA-së. Ky akt nuk është simbolik. Është një instrument shtetëror amerikan për të vlerësuar, dokumentuar dhe ekspozuar pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,” ka shkruar Kamberi.
Ai ka theksuar se për herë të parë kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral. Në këtë kontekst, Kamberi ka falënderuar kongresistin Keith Self “në emër të çdo shqiptari të Luginës së Preshevës”, duke shtuar se “në një botë ku shumë heshtin nga interesi, kongresisti Keith zgjodhi të flasë nga parimi”.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Kamberi dhe ekipi i tij kanë zhvilluar gjithashtu një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së me Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe me Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë. Në këtë takim, Kamberi ka thënë se ka përcjellë drejtpërdrejt zërin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke folur për diskriminimin sistemik, pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet dhe politikat shtetërore të Beogradit që, sipas tij, synojnë “zhdukjen administrative” të shqiptarëve.
Ai ka vlerësuar edhe mbështetjen e miqve të shqiptarëve në SHBA, në veçanti Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqin, të cilët, siç është shprehur, kanë qenë ura e drejtpërdrejtë drejt institucioneve amerikane.
“Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë. Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington. Lugina e Preshevës nuk është temë lokale – është çështje e të drejtave të njeriut dhe e stabilitetit në Ballkan,” ka përfunduar Kamberi./LUGINALAJMI/



