Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Republikës së Serbisë dhe njëherësh kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka refuzuar mirënjohjen e ndarë nga Qeveria e Serbisë, respektivisht nga institucioni i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në një reagim publik, Kamberi ka bërë të ditur se mirënjohjen e dërguar në adresën e tij e ka kthyer mbrapsht përmes postës, duke theksuar se nuk mund dhe nuk dëshiron të jetë mbajtës i një vlerësimi që, sipas tij, nuk përfaqëson më misionin dhe vlerat për të cilat është themeluar ky institucion.
Sipas Kamberit, Trupi Koordinues, veçanërisht në vitet e fundit, është larguar dukshëm nga qëllimi fillestar i integrimit real të komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore dhe nga përpjekjet për zhvillimin ekonomik të kësaj zone të lënë pas dore për dekada. Ai thekson se Plani shtatëpikësh, i miratuar në vitin 2013, vazhdon të mbetet i pazbatuar, ndërsa buxheti i institucionit ka mbetur pothuajse i pandryshuar, pavarësisht rritjes së kostove dhe nevojave reale të qytetarëve.
Një shqetësim i veçantë, sipas deputetit shqiptar, lidhet me ndarjen e mirënjohjeve për figura publike të njohura për retorikë antishqiptare dhe qëndrime përjashtuese, gjë që, sipas tij, bie ndesh me parimet themelore të paqes, besimit dhe bashkëjetesës ndëretnike.
“Nuk mund të pranoj një mirënjohje nga një institucion që, me veprimet dhe përzgjedhjet e tij, e ka humbur besimin dhe kredibilitetin tek komuniteti që duhet ta përfaqësojë”, ka theksuar Kamberi.
Në fund, ai ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar ndaj angazhimit për paqe, barazi institucionale dhe respektim të plotë të të drejtave të shqiptarëve në Serbi, si dhe ndaj zbatimit të obligimeve që shteti serb tashmë i ka marrë përsipër./LUGINALAJMI/



