-Foto Administrata doganore e Serbisë-
Më shumë se 2.400 paketa cigare janë konfiskuar në dy tentativa të ndara kontrabandimi në pikat kufitare Prohor Pçinjski dhe Preshevë, ka njoftuar Administrata Doganore e Serbisë.
Sipas njoftimit, doganierët në bashkëpunim me policinë, të dielën më 8 shkurt, kanë zbuluar dy raste pothuajse identike të tentativave për futje të paligjshme të cigareve në vend.
Në hyrje të pikës kufitare Prohor Pçinjski, në 10 rrotulla rrjete fasade që shërbenin si kamuflazh, janë gjetur 900 paketa cigare të markave Marlboro, Rodeo, West dhe Boss. Përveç kësaj, edhe 710 paketa të tjera cigare të fshehura janë zbuluar në çanta me sende personale të udhëtarëve.
Rasti i dytë i kontrabandës është zbuluar në pikën kufitare Preshevë, ku në tetë rrotulla rrjete për fasadë ishin fshehur 840 paketa cigare të markave Marlboro dhe Rodeo Blue.
Në total janë konfiskuar 2.450 paketa cigare, vlera e të cilave vlerësohet mbi 700.000 dinarë. Nga Administrata Doganore bëjnë të ditur se malli i sekuestruar është mbajtur përkohësisht deri në përfundimin e procedurave kundërvajtëse./LUGINALAJMI/





