Bekim Sejdiu është emri për të cilin janë pajtuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Sejdiu, i lindur më 1974, është jurist, profesor universitar, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe diplomat me përvojë në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.
Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese në prill të vitit 2015, ai ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i përket brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës. Sejdiu ka qenë Ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa më pas Konsull i Përgjithshëm në Nju-Jork, nga viti 2012 deri më 2014.
Para angazhimit diplomatik, ai kishte shërbyer edhe si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Krahas karrierës institucionale, Sejdiu është i angazhuar në Universitetin e Prishtinës që nga viti 2002, në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik.
Ai ka përfunduar studimet juridike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka dy magjistratura – në marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Bilkent dhe në demokraci dhe të drejta të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës. Sejdiu ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Slloveni.
Gjatë karrierës së tij është angazhuar edhe në sektorin e shoqërisë civile, përfshirë KIPRED-in dhe Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.
Sejdiu është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje ndërkombëtare, përfshirë Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësin e qytetit Worcester në Massachusetts dhe një medalje nga Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë.
Përveç angazhimeve institucionale dhe diplomatike, ai ka zhvilluar aktivitet akademik dhe ka botuar punime në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare./LUGINALAJMI/



