Sporti, muzika, ushqimi, pijet, por mbi të gjitha respekti, dashuria dhe atmosfera e ngrohtë mes njerëzve, karakterizuan takimin e madh të mbajtur më 1 gusht (e shtunë) në oborrin e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc.
Oborri i shkollës ishte i mbushur me qytetarë nga Bujanoci dhe mërgimtarë të ardhur nga Zvicra, të cilët u bashkuan për të ndjekur dhe përjetuar aktivitetet e organizuara nga Asociacioni Qytetar “Bujanoci”, që vepron në Zvicër, në bashkëpunim me klubet sportive vendase.
Në kuadër të projektit “Youth Meet Up”, u zhvilluan një sërë aktivitetesh sportive me pjesëmarrjen e Klubit të Volejbollit për Femra “Flaka”, Klubit të Basketbollit “Elita”, Klubit të Karatesë “Besa” dhe Klubit të Futbollit “Besa”. Në të gjitha disiplinat u organizuan ndeshje miqësore, të cilat sollën jo vetëm garë sportive, por edhe momente shoqërimi dhe afrimi mes të rinjve.
Një nga momentet më mbresëlënëse të mbrëmjes ishte paraqitja e veteranit të karatesë, Sedat Leci nga Bujanoci, i cili jeton në Zvicër. Ai mblodhi karateistët e gjeneratave të vjetra për të interpretuar së bashku një nga katat tradicionale të karatesë. Ky moment u prit me duartrokitje të gjata dhe emocion nga të pranishmit, duke rikthyer kujtime dhe duke dëshmuar se sporti mbetet një urë që lidh brezat.
Aktivitete të tilla janë të rralla në Bujanoc, por vlera e tyre është e jashtëzakonshme. Ato forcojnë lidhjet mes bashkëqytetarëve, krijojnë ura mes brezave dhe mbajnë gjallë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve që jetojnë në vendlindje dhe atyre që kanë ndërtuar jetën në mërgim. Kjo atmosferë bashkimi dhe solidariteti ishte mesazhi më i bukur që la pas ky organizim./LUGINALAJMI/














