Në sheshin e qytetit në Bujanoc u hap ekspozita ndërkulturore “Arti që bashkon”, në të cilën morën pjesë 15 nxënës të shkollave të mesme nga Bujanoci, shqiptarë dhe serbë.
Nxënësit prezantuan punime artistike të realizuara në kuadër të projektit, ndërsa ekspozita kishte për qëllim promovimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet të rinjve përmes artit.
Ekspozita u organizua nga Qendra për Demokraci dhe Edukim – Lugina (CDE-Lugina), me mbështetjen financiare të Kabinetit të ministrit pa portofol përgjegjës për avancimin e zhvillimit të komunave të pazhvilluara në Republikën e Serbisë.
Gjatë hapjes u theksua se organizimi i ekspozitës në fund të vitit shkollor synon të ofrojë një mundësi për prezantimin e punimeve të nxënësve dhe për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve të komuniteteve të ndryshme.
Organizatorët falënderuan nxënësit dhe mësimdhënësit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në realizimin e aktivitetit, duke vlerësuar se iniciativa të tilla kontribuojnë në zhvillimin e dialogut dhe bashkëpunimit në nivel lokal./LUGINALAJMI/














