Në moshën 81-vjeçare, mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta profesor Muzafer Hasani – Mizi, profesori i njohur i gjeografisë nga Tërnoci.
Ikja e profesor Mizit vjen pikërisht në këto ditë shtatori, kur shkollat hapin dyert dhe nis një vit i ri mësimor. Por këtë shtator, njëri prej atyre që një jetë të tërë ia kushtoi shkollës, nxënësve dhe dijes, nuk është më mes nesh.
Karrierën e nisi në shkollën fillore në Tërnoc, për të vazhduar në paralelen e Gjimnazit të Preshevës në Tërnoc, ndërsa me hapjen e Gjimnazit në Bujanoc ishte pjesë e tij që nga fillimi. Në fund të karrierës shërbeu edhe si zëvendësdrejtor.
Profesor Mizi do të mbahet mend nga shumë breza për përkushtimin ndaj mësimdhënies, seriozitetin dhe kriteret e larta që kishte si profesor. Gjurmët e tij mbeten te qindra nxënës që kaluan nëpër duart e tij.
Varrimi do të bëhet sot, e mërkurë, 2 shtator, pas namazit të ikindisë, në varrezat e qytetit të Bujanocit.
Pas vetes la bashkëshorten, mësuesen Mistrete, dhe fëmijët Dritonin, Albinën dhe Hakiun.
I lehtë i qoftë dheu dhe i përjetshëm kujtimi për profesor Mizin./LUGINALAJMI/



