Një ngjarje tragjike në Surdulicë, ku një i ri humbi jetën në një aksident trafiku, ka marrë një drejtim shqetësues, duke u shndërruar në përndjekje dhe kërcënime ndaj një familjeje shqiptare që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me aksidentin. Objekt i sulmeve është pronari i një furre buke, me emrin Liridon, i cili thotë se familja e tij po përballet me presion, frikësim dhe thirrje të hapura për dëbim nga qyteti.
Edhe pse i afërmi i tij i ri, i cili shkaktoi aksidentin, ndodhet në paraburgim dhe do të përballet me drejtësinë, zemërimi i një pjese të qytetarëve është drejtuar ndaj Liridonit dhe familjes së tij. Në rrjetet sociale dhe në një grup në Viber me mbi një mijë anëtarë, janë shfaqur thirrje për protesta, bojkot dhe dëbim të “furrës shqiptare”, ndërsa disa persona madje kanë nisur të fotografojnë dhe regjistrojnë se kush blen aty, apo të patrullojnë rreth objektit edhe gjatë natës.
Siç shkruan Vreme, protestat e paralajmëruara me sloganin “Drejtësi për Rastkon” po marrin përmasa të rrezikshme, duke u shndërruar në linç publik dhe ndjekje të hapur shoviniste. Në atë grup në Viber, sipas këtij mediumi, është edhe ministri pa portofol Novica Tonçev, i cili më herët ka deklaruar se disa nga mesazhet janë teprime individuale dhe se ai u bën thirrje institucioneve të bëjnë punën e tyre.
Liridoni tregon se situata ka dalë jashtë kontrollit dhe se nuk po kërkohet drejtësi për viktimën, por dëbimi i tij dhe i familjes nga Surdulica. “Nëse shteti nuk mund të më mbrojë, nuk e di çfarë të them”, shprehet ai, duke kërkuar që mbiemri i tij të mos publikohet.
Sipas tij, protestat janë shndërruar në përndjekje të hapur: janë shkuar edhe para shtëpive, ndërsa ai është detyruar ta largojë gruan dhe fëmijët në një vend të sigurt. “Një mik i imi i çoi fëmijët, por protestuesit e sulmuan makinën dhe u përpoqën ta ndalonin. Ai arriti të ikë. Fëmijët janë të traumatizuar dhe nuk po qetësohen”, tregon Liridoni.
Ai shton se fëmijët e pyesin vazhdimisht pse po i sulmojnë dhe pse nuk mund të shkojnë në shkollë. Madje, edhe miku që e ndihmoi është etiketuar si “tradhtar” në grupin në Viber, ku më pas është publikuar edhe lokacioni ku ishte strehuar familja, si dhe janë shpërndarë fotografi të tyre me mesazhe shoviniste.
Nga ana tjetër, Katarina Goluboviq nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut vlerëson se këtu tashmë mund të flitet për vepra të urrejtjes. Sipas saj, kjo është një situatë ku Prokuroria e Lartë Publike duhet të reagojë urgjentisht për shkak të nxitjes së urrejtjes racore, fetare dhe kombëtare, ndërsa edhe funksionarët lokalë që kanë qasje në këto komunikime duhet të dalin hapur kundër linçimit.
Prokuroria Themelore Publike në Vladiçin Han ka bërë të ditur se policia i ka njoftuar për protestat dhe incidentet, dhe se prokurori ka urdhëruar mbledhjen e informacioneve, identifikimin e personave dhe përgatitjen e raportit. Megjithatë, sipas tyre, policia nuk i ka informuar për ekzistencën e grupit në Viber ku, praktikisht, po organizohet linç publik.
Liridoni thekson se i afërmi i tij ka qenë vetëm punëtor në furrën e bukës dhe se askush nuk po proteston për drejtësi reale apo për ndëshkimin e përgjegjësit, por po kërkohet që ai dhe familja e tij të dëbohen. “Kam njëzet punëtorë. A duhet të përgjigjem për secilin prej tyre? Pse të protestohet kundër meje, kur unë nuk kam qenë drejtuesi i mjetit?”, pyet ai./Vreme



