Fjalimi i djeshëm i deputetit shqiptar Shaip Kamberi, në të cilin ai i shtroi disa pyetje presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me vizitën e tij në Strezoc të Preshevës dhe Llopardincë të Bujanocit, ka nxitur reagime të shumta edhe në mesin e qytetarëve serbë.
Në faqen e Kamberit në Facebook janë publikuar dhjetëra komente, disa prej të cilave përmbajnë gjuhë të hapur të urrejtjes dhe thirrje për dhunë.
Njëri nga komentuesit, Danilo Mitroviq, ka kërkuar publikisht pushkatimin e Kamberit:
“Shaip Kamberi duhet të pushkatohet publikisht” (“Шаип Камбери треба бити стрељан јавно”).
Një koment i tillë tejkalon kufijtë e kritikës politike dhe përbën thirrje eksplicite për eliminimin fizik të një deputeti, ndërsa u takon organeve kompetente të vlerësojnë nëse ekzistojnë elemente për përgjegjësi penale.
Një tjetër komentues, me profilin “Macan Finish Milance”, ka përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve dhe ka kërkuar dëbimin e tyre nga Serbia (“Ma sva ta govna siptarska da se proteraju iz Srbije zauvek”).
Ironikisht, këto reagime vijnë vetëm një ditë pasi Kamberi në Kuvend ngriti pikërisht çështjen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi.
Ende nuk dihet nëse këto komente, veçanërisht thirrja publike për pushkatimin e Kamberit, janë dorëzuar nga ekipi i deputetit në Prokurori apo janë raportuar tek organet e tjera kompetente./LUGINALAJMI/





