Kuvendi i Partisë për Veprim Demokratik, dega në Bujanoc, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar situata e përgjithshme në komunë dhe zhvillimet e fundit që lidhen me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në këtë kuadër, PVD ka përshëndetur miratimin e Ligjit HR 6411 nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj çështjes së të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon.
Sipas PVD-së, ky hap e vendos çështjen e diskriminimit në një kornizë më konkrete dhe institucionale, duke e zhvendosur debatin nga deklaratat politike drejt përgjegjësisë ligjore. Në kumtesë thuhet se reagimet e institucioneve shtetërore të Serbisë janë të pritshme dhe se ato pasqyrojnë qëndrimet e njohura deri më tani për mohimin e diskriminimit institucional.
“Për Serbinë, PVD-ja është bërë problem politik dhe jo thjesht parti lokale”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.
Sipas vlerësimit të partisë së Shaip Kamberit, sulmet ndaj saj synojnë të dobësojnë rolin e PVD-së si kanal për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve dhe të krijojnë përshtypjen e mungesës së unitetit brenda komunitetit shqiptar, duke e zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësitë shtetërore drejt polemikave të brendshme.
PVD thekson se çështja e diskriminimit nuk është çështje partiake, por një realitet që prek jetën e përditshme të qytetarëve dhe që kërkon zgjidhje serioze dhe të qëndrueshme. Në këtë drejtim, Dega e PVD-së në Bujanoc ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj institucional për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës./LUGINALAJMI/



