Deputeti i Srbija Centar (SRCE)nga Vranja, Slobodan Petroviq, deklaroi në Kuvendin e Serbisë se politika aktuale e pushtetit po çon drejt zbrazjes demografike të jugut të Serbisë, duke vlerësuar se Presheva tashmë ka mbetur pothuajse pa popullsi serbe dhe se “në të njëjtën rrugë po ecën edhe Bujanoci”.
Gjatë debatit parlamentar, Petroviq tha se, “nëse kjo qeveri mbetet në pushtet”, Qarku i Pçinjës “do ta përjetojë fatin e Kosovës”, duke theksuar se Presheva dhe Bujanoci janë shembujt më të mirë të kësaj, sipas tij. Ai akuzoi pushtetin se me politikat e tij ka ndryshuar pothuajse tërësisht strukturën etnike të popullsisë në Preshevë.
Duke iu referuar deklaratës së fundit të ministres Paunoviq, Petroviq tha se “politika që ajo dhe SPS zbatojnë, së bashku me Vuçiqin dhe SNS-in, ka arritur pothuajse ta spastrojë etnikisht Preshevën nga serbët. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2022, në Preshevë nuk kishte as pesë për qind serbë. Me ju në pushtet, edhe Bujanoci po ecën në të njëjtën rrugë”.
Deputeti i SRCE-së kritikoi edhe, siç tha ai, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nga jugu i Serbisë, duke i akuzuar se përfaqësojnë interesat e pushtetit në Prishtinë. Në këtë kontekst, ai deklaroi se, “si shenjë falënderimi ndaj Aleksandar Vuçiqit, e ashtuquajtura Lugina e Preshevës duhet të riemërtohet në ‘Lugina e Aca Serbit’”./LUGINALAJMI/



