Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe njëherësh këshilltar nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc, Enver Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes financiare dhe mënyrës së qeverisjes në Komunën e Bujanocit.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka ngritur shqetësime serioze lidhur me menaxhimin financiar të komunës, duke theksuar se kriza aktuale nuk është e re, por pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve politike të gabuara dhe e mungesës së përgjegjësisë në qeverisje.
Sipas tij, edhe vetë udhëheqësit aktualë të komunës kanë nisur ta pranojnë publikisht gjendjen e rëndë financiare, çka dëshmon se marrëveshjet politike të bëra me partinë shtetërore SNS nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara. Premtimet për sigurimin e mjeteve nga qeveria qendrore, siç thekson Ramadani, po rezultojnë boshe edhe në vitin e dytë të qeverisjes.
Ai paralajmëron se situata pritet të përkeqësohet edhe më tej në muajt në vijim. Pagesat për bizneset për vitin 2025 ende nuk janë realizuar, ndërsa mbështetja financiare e paraparë për to është minimale dhe, sipas tij, simbolike – rreth 400 euro për biznes. Ndërkohë, mjetet e planifikuara për vitin 2026, në praktikë, pritet të përdoren për të mbuluar detyrimet e mbetura nga viti paraprak.
Një situatë e ngjashme, sipas Ramadani, vlen edhe për bujqit, të cilët ende nuk kanë përfituar subvencionet për vitin 2025. Kjo, siç shprehet ai, nënkupton se në vitin 2026 nuk do të ketë mjete për ta, ndërsa pagesat e vonuara rrezikojnë të shtyhen edhe më tej.
Ramadani ka theksuar gjithashtu se vonesat me pagat në Çerdhen e qytetit, Shtëpinë e Kulturës, Bibliotekën, Qendrën Sportive dhe Barnatoren e qytetit – me deri në 12 paga të prapambetura – janë tregues i qartë i mungesës së kapacitetit për qeverisje. Sipas tij, këto probleme nuk mund të justifikohen me fajësimin e qeverisjeve të mëparshme.
Ai kujton se transferti mujor nga buxheti qendror, që nga viti 2016 deri në vitin 2026, ka mbetur i pandryshuar dhe arrin rreth 32 milionë dinarë, ndërkohë që vetëm shpenzimet për paga të komunës dhe institucioneve që ajo financon kapin shifrën prej rreth 42 milionë dinarësh në muaj. Kjo krijon një mungesë prej rreth 10 milionë dinarësh çdo muaj, duke e bërë funksionimin normal të komunës gjithnjë e më të vështirë.
“Kjo situatë nuk është pasojë e opozitës apo e obligimeve të trashëguara, por e transferit të pamjaftueshëm dhe e keqqeverisjes”, ka theksuar Ramadani, duke shtuar se presioni për përmirësimin e gjendjes duhet të ushtrohet ndaj partnerëve qeverisës që vetë udhëheqja aktuale i ka zgjedhur.
Në fund, ai ka apeluar për një qeverisje të përgjegjshme dhe profesionale në Bujanoc, e cila do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe e aftë të sigurojë funksionimin normal të institucioneve, zhvillimin e bizneseve, bujqësisë, sportit dhe kulturës, si dhe pagesën e rregullt të pagave./LUGINALAJMI/



