Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë parandaluar futjen në vend të një shume prej 100 mijë eurosh të padeklaruara.
Rasti është regjistruar më 16 gusht 2026, në Pikëkalimin Kufitar Dheu i Bardhë, gjatë kontrollit të detajuar të një autobusi që qarkullonte në linjë ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të autobusit zyrtarët kanë zbuluar shumën prej 100 mijë eurosh, e cila ishte e ndarë në 500 kartëmonedha me vlerë nga 200 euro. Paratë nuk ishin deklaruar paraprakisht, ashtu siç kërkohet sipas procedurave në fuqi për bartjen e mjeteve monetare.
Autoritetet kanë sekuestruar shumën e gjetur, ndërsa ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore.
Rasti është trajtuar në bashkëpunim ndërmjet Policisë dhe Doganës së Kosovës, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e bartjes së paligjshme të mjeteve monetare përmes pikëkalimeve kufitare./LUGINALAJMI/




