Komisioni për ndarjen e subvencioneve për bizneset e vogla dhe të mesme në Komunën e Bujanocit ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të mbështetjes financiare.
Sipas dokumentit të publikuar në portalin zyrtar të komunës www.bujanovac.rs, gjithsej 213 biznese kanë përfituar nga kjo thirrje, ndërsa shuma e ndarë për secilin prej tyre është vetëm 46.000 dinarë, apo rreth 391 euro, sipas kursit zyrtar të Bankës Qendrore të Serbisë.
Ndonëse shpërndarja e mjeteve ka ardhur me vonesë, ajo ka nxitur reagime dhe kritika të forta nga partitë opozitare në Bujanoc, të cilat e vlerësojnë këtë mbështetje si simbolike dhe pa ndikim real në zhvillimin ekonomik.
Një nga reagimet më të ashpra ka ardhur nga Sali Salihi, përfaqësues i Partisë Demokratike të Nagip Arifit, i cili këtë subvencion e ka quajtur “një makiato për biznesin – nga Komuna me dashuri”.
Në një postim ironik në facebook, Salihi shkruan se Komuna e Bujanocit ka ndarë rreth 10 milionë dinarë për mbi 200 biznese, duke theksuar se me shumën prej rreth 46.000 dinarësh, bizneset mund të përballojnë vetëm shpenzime minimale, si pagesa e pjesshme e faturave apo shpenzime të vogla operative, por jo investime serioze.
Sipas tij, kjo shumë nuk mjafton as për të mbuluar shpenzimet mujore bazë të një biznesi mesatar, e lëre më për blerje makinerish, zgjerim të kapaciteteve, hapje të vendeve të reja të punës apo investime në inovacion.
Salihi kritikon mënyrën e shpërndarjes së fondeve, duke vlerësuar se, në vend të mbështetjes së projekteve konkrete dhe zhvillimore, komuna ka zgjedhur t’i ndajë mjetet në mënyrë të barabartë, pa efekt real në rritjen ekonomike.
“T’i japësh një biznesi rreth 400 euro dhe ta quash këtë ‘subvencion për zhvillim’ është fyerje për inteligjencën e atyre që përballen çdo ditë me taksa, qira dhe një treg gjithnjë e më konkurrues”, shkruan ai.
Si veçanërisht problematike, Salihi e konsideron edhe përfshirjen e një klubi nate në listën e përfituesve, duke vënë në pikëpyetje kriteret dhe seriozitetin e procesit. Sipas tij, kur fondet publike që duhet të shkojnë për prodhim dhe zhvillim përfundojnë në aktivitete të tilla, problemi nuk është më vetëm shuma, por prioritetet e pushtetit lokal.
“Me 400 euro nuk hapet vend pune dhe nuk blihet teknologji. Por, me sa duket, kjo shumë mjafton për të treguar qartë se ku janë prioritetet e kësaj qeverisjeje: te shpërdorimi i buxhetit dhe mungesa e vizionit për zhvillim real”, përfundon Salihi./LUGINALAJMI/



