Tri parti politike shqiptare nga Lugina e Preshevës, Partia për Veprim Demokratik (PVD), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Partia Demokratike (PD), kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të kandidaturës së Faton Bislimit për President të Republikës së Kosovës.
Deklarata është bërë publike më 28 gusht, ndërsa në emër të partive figurojnë kryetarët Shaip Kamberi, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi.
Përfaqësuesit politikë shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja e konsiderojnë Bislimin si një figurë me profil mbipartiak, të pavarur dhe unifikues, duke vlerësuar se ai mund të përbëjë një zgjidhje konsensuale për postin e Presidentit të Kosovës.
Një ndër arsyet kryesore të mbështetjes, sipas deklaratës, është angazhimi i tij për më shumë se dy dekada për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në deklaratë theksohet se Bislimi ka shfrytëzuar lidhjet dhe kredibilitetin e tij në Washington për ta mbajtur çështjen e Luginës në vëmendjen e politikëbërësve amerikanë, veçanërisht në Kongresin dhe Senatin amerikan.
Sipas tri partive, ky angazhim ka përfshirë organizimin e takimeve me senatorë dhe kongresistë, informimin e institucioneve amerikane për gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe përcjelljen e kërkesave të përfaqësuesve shqiptarë të Luginës te vendimmarrësit amerikanë.
PVD, PDSH dhe PD vlerësojnë se Kosova ka nevojë për një President që mund të komunikojë me të gjitha forcat politike brenda vendit, por edhe me të dyja krahët e politikës amerikane.
“Për këto arsye, ne shprehim përkrahjen tonë për kandidaturën e z. Faton Bislimi për President të Republikës së Kosovës dhe e konsiderojmë atë një kandidat serioz për një zgjidhje konsensuale, mbipartiake dhe unifikuese”, thuhet në fund të deklaratës së përbashkët./LUGINALAJMI/



