Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, ka bërë të ditur se Serbia pritet të shkojë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare gjatë vjeshtës, duke theksuar se ende nuk është diskutuar për emrin e kandidatit presidencial të partisë, shkruan N1, përcjell LUGINALAJMI.
Sipas tij, për SNS-në nuk është vendimtare nëse kandidati është anëtar i partisë apo jo, burrë apo grua, por nëse është një person me integritet, përgjegjësi dhe me mbështetje të mjaftueshme për të fituar besimin e qytetarëve.
“Ende nuk kemi diskutuar për emra. Kandidati ynë do të jetë ai që e meriton këtë përgjegjësi dhe që ka aftësinë të fitojë zgjedhjet”, deklaroi Vuçeviq në një intervistë për të përjavshmen Kompas.
Ai tha se është pothuajse e sigurt se vendi do të mbajë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në muajt shtator, tetor ose nëntor, edhe pse ende nuk dihet nëse ato do të organizohen në të njëjtën ditë apo veçmas.
Vuçeviq e lidhi këtë me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka paralajmëruar se brenda pak javësh do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, çka sipas tij nënkupton se zgjedhjet presidenciale janë të pashmangshme.
Duke folur për sfidat politike, ai vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë ndër më të vështirat për SNS-në që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2012.
“Nuk mendoj se jemi pa shanse, por as nuk besoj se fitorja është e garantuar. Qytetarët do të vendosin”, u shpreh Vuçeviq.
Ai shtoi se shpreson që SNS të garojë në një ekip të përbashkët me Aleksandar Vuçiqin, duke e parë atë si figurën kryesore të listës zgjedhore, ndërsa për formën e koalicionit tha se vendimi do të merret në periudhën në vijim.
Deklaratat e Vuçiqit, se do të largohet nga posti i presidentit dhe se, nëse e kërkon partia, do ta ndihmojë SNS-në në zgjedhje, kanë nxitur spekulime se ai mund të udhëheqë listën e partisë në zgjedhjet parlamentare dhe më pas të marrë detyrën e kryeministrit.
Ndërkohë, analistët politikë këtë skenar e shohin si një mënyrë për të ruajtur rolin dominues në skenën politike, ndërsa opozita e cilëson si një manovër politike në një periudhë të shoqëruar me krizë politike dhe protesta disamujore në Serbi./LUGINALAJMI/



