Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj bashkimit të partive shqiptare të Luginës së Preshevës në një listë të vetme për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke e cilësuar bartësin e saj, Shaip Kamberin, si “më të keqin dhe më të rrezikshmin” ndër përfaqësuesit politikë shqiptarë.
Gjatë një paraqitjeje në televizionin Informer, Vuçiq pretendoi se bashkimi i partive shqiptare nuk është vetëm rezultat i ndërmjetësimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por edhe i ndikimit të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë.
Sipas tij, qëllimi i këtij bashkimi është rikthimi i çështjes së Luginës së Preshevës në vëmendjen ndërkombëtare.
“Për herë të parë, partitë shqiptare janë bashkuar. Më të keqin dhe më të rrezikshmin prej tyre, Shaip Kamberin, e kanë vendosur në krye të listës”, deklaroi Vuçiq, shkruan Bujanovacke.
Ai përmendi edhe kongresmenin amerikan Joe Wilson, të cilin e akuzoi se po vepron në interes të shqiptarëve, ndërsa pretendoi se çështja e Luginës së Preshevës do të ngrihet përmes kontakteve politike në SHBA dhe Evropë.
“Le të mos mendojnë se jam budalla. Nuk do t’ua lejoj këtë”, u shpreh Vuçiq, përcjell Bujanovacke.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit shqiptar dhe bartësit të listës “Koalicioni Shqiptar”, Shaip Kamberi, i cili përmes një postimi në Facebook e pyeti Vuçiqin se çfarë e shqetëson nga kërkesat e tij për të drejtat e shqiptarëve.
“A i pengon fakti që kam kërkuar që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejta të barabarta? A i pengon që kam kërkuar zbatimin e marrëveshjeve që Serbia vetë i ka nënshkruar?”, shkroi Kamberi.
Ai përmendi edhe angazhimin e tij parlamentar kundër diskriminimit, për arsimin, përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin proporcional dhe zhvillimin ekonomik të komunave shqiptare.
Kamberi iu përgjigj edhe kritikave për bashkimin e partive shqiptare.
“Ne nuk jemi bashkuar kundër askujt. Jemi bashkuar për të përfaqësuar më mirë qytetarët që na kanë votuar”, theksoi ai, duke pyetur: “Çfarë i pengon Vuçiqit te shqiptarët e bashkuar?”
Në fund, Kamberi rikujtoi deklaratën e dikurshme të Vuçiqit “100 për një”, duke theksuar se ai vetë nuk ka kërcënuar askënd me hakmarrje në emër të kombit të tij.
“Unë nuk kërkoj të drejta për shqiptarët duke ua mohuar ato serbëve. Kërkoj barazi, përfaqësim dhe respekt për të drejtat që u takojnë të gjithë qytetarëve”, përfundoi Kamberi.
Përplasja mes Vuçiqit dhe Kamberit vjen vetëm pak ditë pas certifikimit të listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, e cila bashkon subjektet politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit./LUGINALAJMI/



