-Foto Tanjug-
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar sot fshatin Strezoc, në Komunën e Preshevës, ku ka zhvilluar një takim me banorët e këtij vendbanimi dhe zonave përreth, shkruan Blic.rs
Gjatë vizitës, Vuçiq ka paralajmëruar investime në infrastrukturën e fshatrave të banuara me serbë në territorin e Komunës së Preshevës, duke përmendur disa projekte konkrete që, sipas tij, do të realizohen së shpejti.
Ai ka bërë të ditur se është përgatitur tashmë projekti për renovimin e shkollës në Mamincë, ndërsa ka premtuar edhe ndërtimin dhe rregullimin e disa segmenteve rrugore.
“E di sa e vështirë është për ju këtu në Komunën e Preshevës. Gjithçka që duhet të bëhet, një kilometër rrugë deri në Ashan, në Slavujevc rruga deri te varrezat, ndërsa në Leran rruga deri te kisha, do t’i bëjmë”, ka deklaruar Vuçiq.
Presidenti serb ka thënë se realizimi i këtyre investimeve nuk do të presë me vite, por punimet, sipas tij, duhet të nisin në një afat të shkurtër.
“Jo pas një, dy apo tre vjetësh, por makineritë do t’i shihni menjëherë, që t’i ndërtojmë dhe t’i rregullojmë këto”, ka thënë ai.
Vuçiq ka theksuar gjithashtu synimin që fshatrat serbe në territorin e Komunës së Preshevës të pajisen me infrastrukturë të plotë./LUGINALAJMI/



