Zjarret vazhdojnë me intensitet të lartë në fshatin Breznicë të Komunës së Bujanocit, pavarësisht angazhimit të ekipeve në terren për lokalizimin dhe shuarjen e tyre.
Situata vazhdon të mbetet shqetësuese edhe pas vizitës së sotme në këtë zonë të ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili së bashku me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, është njohur nga afër me gjendjen në vatrat e zjarrit.
Pamje nga zjarret që vazhdojnë të përhapen në këtë zonë ka publikuar edhe fotografi i mirënjohur kosovar Arian Mavriqi.
Në dy fotografitë e publikuara prej tij shihen flakët dhe tymi në zonën malore të Breznicës, duke dëshmuar se zjarri vazhdon me intensitet të lartë.
“Fotografi nga Kamenica e në Breznicë! Atje ku po vazhdojnë zjarret, me intensitet të lartë për fat të keq. 12 Gusht 2026”, ka shkruar Mavriqi krahas fotografive.
Gjatë vizitës së sotme në Breznicë, Daçiq kishte paralajmëruar angazhimin e helikopterëve për shuarjen e zjarreve. Për shkak të afërsisë së zonës së prekur me vijën kufitare me Kosovën, sipas kryetarit Pajaziti, është siguruar edhe leja e nevojshme nga Komanda e KFOR-it për angazhimin e tyre./LUGINALAJMI/



