Viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar veprimtaria bujqësore trajtohej si një degë e konsoliduar e zhvillimit ekonomik, veçmas atij rural. Duke pasë një përvojë të gjatë dhe një lidhje, që mund të thuhet edhe shpirtërore me këtë veprimtari, bujqësia trajtohej si një vperimtari e rregullt nga e cila siguroheshin të ardhura modeste, gati se të mjaftueshme për nevojat e përditshme të një familjeje. Kësaj duhet shtuar edhe një mënyrë jetese pa kërkesa të shumta, me ç’rast fshati konsiderohej si një vend ku njerëzit jetonin pa ndonjë stres të theksuar, ndërkohë që kësaj i kontribuonte edhe raportet e mira ndërnjerëzore dhe solidarësia e ndërsjelltë.
Për ta kuptuar më mirë kronologjinë e këtij zhvillimi morëm rrugën për në Nasalcë, për të vizituar njeriun i cili ka një jetë aq dinamike sa rrallë kush mund ta përballonte. Prandaj Vasuf Halimi do të jetë protagonisti i merituar i reportazhit tonë. Dikur mësues i matematikës në shkollën e këtushme, tani një pensionist që nuk di të ndalet së punuari, duke trajtuar jetë vetëm kohën brenda së cilës është i dobishëm me punë e angazhim konkret. Është edhe nënkryetar i Shoqatës multietnike të bletarëve “Polen 2012”, që tubon bletarë të të gjitha përkatësive kombëtare në Komunën e Bujanocit.
Një rrugë e gjatë drejt punës e dijes me shumë dashuri
Një oborr i rregulluar me finesën e një arkitekti dhe një mikëpritje me shumë dashamirësi e bujari, ishin të mjaftueshme që biseda me të, të ishte edhe e këndshme por edhe motivuese.
– Dikur si student kisha mbledhur nektarin e dijes, ndërkaq pasi u diplomova dhe fillova të punoj si mësues, atë nektarë fillova me shumë zellë t’ia jap nxënësve në trajtën e diturisë, e cila si mjalta e bletës, nëse kultivohet në mënyrën e duhur, dobinë e mirësinë e saj e gëzon e gjithë shoqëria. Puna me nxënës dhe puna me bletë vlerësohen për nga angazhimi dhe kujdesi që investon, ndërsa rezultati matet me rendimentin që realizon.
Një mesazh nga antika e hershme se mendja e shëndoshë rri në trup të shëndoshë, më së miri ilustrohet me Vasufin, ngaqë ai në jetën e tij mrekullisht integroi punën intelektuale – si arsimtar, me veprimtarinë bujqësore- duke mos lënë djerrë asnjë pëllëmbë toke të punueshme, por pa dëmtuar obligimin dhe reputacionin e një mësuesi po aq të zellshëm.
Shembulli që duhet ndjekur: serbët shumicë në SHB “Poleni 2012” propozojnë për lider një shqiptarë
Ndërkaq kësaj duhet shtuar edhe solidarësinë, si vlerë në ndërtimin e miqësive dhe raporteve të mira, gjë e cila ka bërë që Vasufi të propozohej edhe si kryetar i Shoqatës, në të cilën pjesëtarët e komunitetit serb përbëjnë shumicën e anëtarësisë, një rast i rrallë në këto hapësira Ballkanike ku mbretëron stereotipi i dominimit të shumicës.
– Raportet miqësore e solidarësia me të gjithë kolegët e Shoqatës “Polen 2012”, angazhimi i parreshtur dhe me profesionalizëm si bletar, mbase ishin mbase edhe arsyeja që disa herë më kanë propozuar për kryetar të kësaj Shoqate, gjë që u jam mirënjohës të gjithëve, mirëpo nuk kam pranuar ngase për shkak të angazhimeve në rritje, konsideroja se mos nuk do t’ia dilja mbanë një përgjegjësie të tillë.
Teksa pija kafenë të shoqëruar me uj, më bëri përshtypje mjalta me ngjyrë të kuqrremtë që na kishte servuar, që për mua ishte befasia e radhës gjatë kësaj vizite.
– Kjo është mjaltë që bletët e kanë mbledhur nga manaferrat, mirëpo sasitë janë të limituara për shkak se sipërfaqet me këtë frut janë të vogla, ndërkaq edhe periudha kur vizitohen nga bletët është e shkurtër, thotë ky bletar me përvojë të gjatë.
Kriza nuk përballohet duke braktisur punën, përkundrazi…
I pyetur nëse kriza ekonomike në rritje, për shkak të çmimeve të ngritura të materialit shpenzues, e me këtë edhe të vetë mjaltit, ka ndikuar në rënien e shitjes, Vasufi na thotë se ky nuk është i vetmi problem.
– Po, kriza e përgjithshme ekonomike që ka pllakosur të gjithë, nuk është i vetmi problem. Ne kemi probleme me rendimentin ngase sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore janë lënë djerrë, andaj bletëve iu duhet të bëjnë rrugë më të gjata për të mbledhur nektarin e dëshiruar. Barishtat që rriten nëpër arat e djerra nuk janë tërheqëse për bletët.
Kjo ishte edhe një dëshmi se tokat e lëna djerrë rëndojnë edhe raportet miqësore mes të gjithë akterëve brenda një ekosistemi, në të cilin bletët kanë rolin e tyre të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm. Sipas Vasufit, këtij bletari të zellshëm, si pasojë e braktisjes së bujqësisë, janë shtuar edhe problemet shëndetësore te bletët, trajtimi i të cilave, krahas kohës që duhet kushtuar, ka edhe koston e vet, meqë komunitetet brenda një koshereje nuk arrijnë numrin e dëshiruar të individëve, me këtë ndodhë që bletët të mos mund të grumbullojnë mjaltë as për vete.
– Kushtet e paqëndrueshme klimatike, kanë bërë që bletët të kenë probleme në periudhat kur ato kanë më së shumti nevojë e mundësi për të mbledhur sasitë më të mëdha të nektarit. Ndodhë që kur ka nevojë për shi, mbanë mot i ngrohët, dhe e kundërta, ndërkohë që e gjithë kjo ka prishur rendin e natyrshëm të aktivitetit të bletëve.
Se rendi i natyrshëm është çrregulluar edhe në mesin e banorëve të këtushëm, e dëshmon ikja e të rinjëve drejtë Perëndimit, gjë e cila sipas Vasufit, ka bërë që në mesin e anëtarëve të shoqatës, shumica të jenë njerëz me moshë të mesme apo edhe të shtyer.
– Kohëve të fundit është shpresëdhënës angazhimi i tri – katër grave në këtë veprimtari, mirëpo është brengosëse interesimi i pakët i të rinjëve, të cilët janë orientuar drejtë Perëndimit, pa eksploruar sa duhet mundësitë që ofron vendlindja. Njeriu duhet të mësoj nga bletët, sepse ato janë një komunitet që nuk e braktisin lehtë kosheren, andaj verës japin maksimumin që dimrin ta përballojnë më lehtë.
Mjalta – Eliksiri që duhet të jetë në çdo shtëpi
Vasufi na thotë se mjalta është eliksir për shëndetin e njeriut, andaj përdorimi i tij i rregullt ia bënë organizmit një resetim, duke iu shmangur kështu terapive mjeksëore me medikamente të shtrenjta.
– Përdorimi i rregullt i qumshtit të bletës bëri që një grua, që kishte probleme me fertilitetin, të bëhej me fëmijë, ndërkaq plaka që rregullisht ankohej nga sëmundjet reumatike të gjymtyrëve, duke i lyer ato me mjaltë dhe duke u rrezitur në diell, hoqi shkopin me të cilin mbahej kur ecte. Andaj njerëzit duhet të mendohen se si është e mundur të jetë kaq i dobishëm një organizëm që jeton vetëm se 40 ditë.
Dyzet ditë, sa një përjetësi
Dyzet ditët e bletës mjaftojnë që ajo të prodhoj mjaltë i cili nuk ka afat të skadencës, andaj nuk është çudi që arkeologët edhe sot e kësaj dite gjejnë enë të mbushura me mjaltë shekuj e mileniume më herët, duke mbetur e ëmbël dhe e freskët si kujtimi për më të dashurit tonë.
– Edhe njeriu si individë, sado që të jetojë gjatë, po nuk lë trashëgim kujtime të bukura harrohet shpejtë. Bletët jetojnë pakë mirëpo mirësia që ka mjalta i bënë të jetojnë gjatë aq sa ka njerëz në tokë. Andaj deri në frymën e fundit do të merrem me bletët, sepse vetëm duke ndjekur shembullin e tyre, jeta më duket një mjaltisht horizonti i së cilës nuk ka fund, është edhe mesazhi i këtij bletari të vyeshëm për të gjithë lexuesit e revistës Info 017.
Thuhet se pas një bisedë të këndshme, ndarja me bashkëbiseduesin të mallëngjen, mirëpo, për mos ta përjetuar këtë ndjenjë, me vete morëm gjithë atë nektar jete nga përvoja e Vasuf Halimit, që kosherja e jetës të jetë plotë kujtime të ëmbla si mjalta.