Kryetarja e Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, njëherit këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani, ka vlerësuar që Bashkimi Europian, po funksion me dy palë standarde sa i përket Kosovës dhe Serbisë, respektivisht nuk po trajton njejtë serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Serbi.
“Kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja lehtësisht bën thirrje që çështjet e brendshme si mbyllja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i Kushtetutës së Kosovës për përdorimin e valutës së EURO-s të jenë pjesë e diskutimeve e temave të dialogut në Bruksel.
Por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë?” – ka paralelizuar Sinani.
Ajo për më shumë, ka shkruar se Serbia nuk ka përmbushur as marrëveshjet që ka miratuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës; integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë?
Megjithate, ditëve të fundit, njësitet policore të Kosovës, kanë mbyllur institucionet paralele të Serbisë në territorin Kosovar, dhe ky veprim i Qeverisë së Kosovës, ka nxitur thirrje të ndryshme nga diplomat europian për “mos tensionim të situatës”./LUGINALAJMI/