Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dje, në Bujanoc ka marrë pjesë në Konferencën Ekonomike të organizuar nga Unioni i Afaristëve “Vizioni”.
Sipas njoftimit, gjatë konferencës u diskutua mbi rëndësinë e mbështetjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës Lindore.
Rafuna është shprehur se mënyra më e mirë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës është duke u njohur mallrave që prodhohen në atë pjesë “statusin e mallrave të privilegjuar”, që nënkupton taksa më të ulëta me rastin e importimit në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe procedura të thjeshtëzuara dhe me kosto 0 për plasimin e produkteve të prodhuara në Luginën e Preshevës, transmeton albinfo.ch.
Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë e cila përveç ndikimit në rritjen e prodhimit të produkteve, gjithashtu si rajon do të bëhet më shumë tërheqës sesa çdo pjesë tjetër e Serbisë për investime dhe fillimin e prodhimit të ndonjë produkti.
Tutje, ai u ka bërë thirrje bizneseve të Luginës të jenë pjesë e Panairit Vjeshtor Agri-Renew 2024, i cili fillon me datë 21 tetor në Prishtinë. Në këtë Panair, bizneset nga Lugina do të jenë pjesë e hapësirës ekspozuese për Unionin e Bizneseve nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja.