Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se po i dëgjon me vëmendje të gjitha vërejtjet e qytetarëve në Preshevë dhe Bujanoc, dhe paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë ato komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Në Gjenevë, Vuçiq, i pyetur për dy protesta, në gusht dhe shtator, të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, vlerësoi se bëhet fjalë “për demonstrata për humbjen e pushtetit” të forcave pro Kurti (kryeministrit të Kosovës), veçanërisht në Bujanoc, shkruan Danas, transmeton LUGINALAJMI.
Në muajin shtator, në Preshevë u mbajt një protestë e shqiptarëve vendas kundër, siç pohonin të tubuarit, diskriminimit të kryer ndaj tyre nga shteti i Serbisë, një muaj më parë një protestë e ngjashme ishte mbajtur edhe në Bujanoc.
Në Preshevë të tubuarit mbanin pankarta “Stop pasivizimit selektiv”, “Duam tekste shqipe”, “Na ktheni adresat”, “Evropa po e shikon Serbinë”, u organizua edhe një marsh protestues.
Marshi u drejtua nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Nevzad Lutfiu, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëherit deputet popullor, Shaip Kamberi, Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës dhe bashkëpartiake e Kamberit, si dhe zëvëndëskryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, njëherit kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.
Pas zgjedhjeve lokale të qershorit, në Bujanoc u formua një pushtet lokal multietnik i partive shqiptare, serbe dhe rome, për dallim nga ai i mëparshmi, i cili përbëhej ekskluzivisht nga partitë shqiptare.
Vuçiq vlerësoi se këtu bëhet fjalë më shumë për “demonstrat për humbjen e pushtetit të forcave prokurtiane, sidomos në Bujanoc”, dhe se, siç tha ai, nuk i pëlqejnë shqiptarët që janë në pushtet në Bujanoc me serbët.
“Është çështje demokratike dhe ne nuk kemi problem, në vendin tonë, ndryshe nga situata në Prishtinë, demokracia është e lejuar, në vendin tonë është normale që dikush të demonstrojë dhe ne nuk kemi problem kur demonstrojnë shqiptarët. ka thënë Vuçiq.
Ai në përgjigjen e tij për Gazetën Shqiptare ka përmendur se të gjitha vërejtjet e tyre dëgjohen me kujdes dhe se beson se është më e rëndësishme që disa nga investitorët e mëdhenj të vijnë në Bujanoc, por edhe në Preshevë.
Ai përkujtoi se ka qenë në Preshevë (para disa vitesh) dhe se atëherë ka hapur maternitet dhe se ka qëndruar disa herë në Bujanoc dhe se ka punuar që fshatrat serbe dhe shqiptare të asfaltohen njësoj.
“Së shpejti do të rindërtojmë një shkollë dhe do të investojmë shumë para në një nga fshatrat shqiptare, do të vazhdojmë të investojmë para dhe të ndihmojmë njerëzit që jetojnë atje poshtë dhe të vazhdojmë jetën tonë të përbashkët”, tha Vuçiq.
I pyetur për dialogun në Bruksel, ai ka përsëritur se nuk ka pasur dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse Prishtina nuk e dëshiron atë dhe ka shtuar se “në Prishtinë flitet për luftë, por Serbia nuk dëshiron luftë”.
“Ne nuk na pëlqen të shkojmë në luftë dhe nuk planifikojmë të shkojmë në luftë, ne duam vetëm të ruajmë Kushtetutën tonë, interesat jetike kombëtare dhe shtetërore, duke respektuar shqiptarët, duke folur dhe zgjidhur problemet me dialog. “Kam frikë se nuk kemi pasur dialog pikërisht sepse njëra palë, e cila nuk është serbe, nuk e ka dashur atë dialog”, tha ai.
Ai tha se beson se rrethanat do të ndryshojnë në të ardhmen dhe se, siç tha ai, “dikush do ta kuptojë se të gjithë mund të përfitojnë nga dialogu, por edhe nga zgjidhjet kompromise”.
“Zgjidhja e punëve me kërcënime, spastrim etnik i serbëve në radhë të parë nga veriu i Kosovës dhe Metohisë, nuk është politikë serioze dhe nuk sjell ndonjë rezultat të mirë”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse i ka dhënë ndonjëherë dorën Kurtit (gjatë takimeve ndërkombëtare), presidenti serb tha se kjo nuk ka ndodhur kurrë.
“Unë kurrë nuk i kam thënë lamtumirë Kurtit, mendoj se ai nuk është i pakënaqur për këtë dhe as nuk kam qarë kurrë”, tha Vuçiq./LUGINALAJMI/