Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) ka nisur renovimin e kulmit të objektit të tij, një projekt që po realizohet nga kompania BICCI.
Në një video të publikuar nga kryetari i KKSH-së, u prezantuan pamje të punimeve, ndërsa redaksia e LUGINALAJMIIT ka siguruar detaje të rëndësishme për këtë projekt.
Në pyetjet e redaksisë sonë, drejtuar kryetarit Nevzad Lutfiu mbi financimin, koston dhe punëkryesin e këtij projekti, Lutfiu me përgjigje shumë të shkurtëra, deklaron se projekti kap vlerën prej 2.990.000 dinarëve pa TVSH dhe se po financohet nga KKSH.
Kjo shumë prej afro 3 milionë dinarë, përbënë ¼ e buxhetit vjetor të këtij institucioni të vetëm shqiptar, e që është shumë e vështirë për ta mbuluar. Shtuar faktin që Komuna e Bujanocit së fundmi, ka stopuar mbështetjen financiare për KKSH prej 2 milionë dinarë, KKSH, nuk e ka as fuqinë e as mundësinë financiare që të realizojë një projekt infrastrukturor si ky.
Por, sipas informacioneve që disponon LUGINALAJMI ende të pa konfirmuara, KKSH ka arritur të tërheqë fondet e dedikuara nga Republika e Shqipërisë, të cilat ishin aprovuar që nga viti 2020-22 për mbështetje të projekteve të ndryshme. Këto fonde ishin siguruar nga përbërja e mëparshme e KKSH-së, nën udhëheqjen e Ragmi Mustafit, me një projekt konkret për përmirësimin e godinës. Tërheqja e këtyre mjeteve ishte bllokuar për vite për shkak të një padie të ngritur ndaj Aleksandër Vulin. Procedurat e Bankës Popullore të Serbisë, me kushte jo-administrative dhe zvarritje burokratike, kishin ndaluar transferimin e fondeve, duke krijuar polemika dhe dyshime për keqpërdorim në Bujanoc. Ndërkohë që në Bujanoc qarkullonin zëra për keqpërdorimin e fondeve, ky proces i renonimit dhe tërheqja përfundimtare e mjeteve konfirmuan se fondet prej rreth 80 mijë eurosh kanë qenë të paprekura dhe të destinuara për projekte të KKSH-së edhe pse për këto të fundit nuk është njoftuar opinioni publik. Procesi i renovimit është ende në zhvillim dhe pritet të përfundojë brenda afateve të planifikuara. Transparenca në menaxhimin e buxhetit mbeten kritike për rritjen e besimit të publikut dhe për të siguruar mbështetjen e mëtejshme të donatorëve./LUGINALAJMI/