Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar sot takim me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Serbi, Sh.T. Edward Ferguson, ku diskutuan për çështje kyçe që lidhen me stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Luginës së Preshevës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari Pajaziti njoftoi për përmbajtjen e takimit, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik dhe të sigurisë, të cilat ai i cilësoi si faktorë të domosdoshëm për përparimin e komunës së Bujanocit dhe të gjithë rajonit. Pajaziti dhe Ferguson ranë dakord se një ambient i sigurt dhe i qëndrueshëm është thelbësor për zhvillimin e çdo komuniteti dhe për ndihmën ndaj iniciativave që nxisin përparimin ekonomik dhe shoqëror.
Në bisedën e tyre, kryetari Pajaziti ka nënvizuar rëndësinë e përfshirjes të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke theksuar se ky është një parakusht i nevojshëm për arritjen e barazisë dhe integrimit të plotë të pakicës shqiptare në Serbi. Ai e ka theksuar gjithashtu ndikimin e madh të Britanisë së Madhe në këtë pjesë të Evropës dhe rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të saj për stabilitetin dhe zhvillimin në rajon.
Në takim u diskutuan gjithashtu mundësitë për mbështetje të projekteve konkrete për zhvillimin e komunës së Bujanocit. Ambasadori Ferguson ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje për këto iniciativa, si dhe për të kontribuar në realizimin e projekteve që përmirësojnë kushtet e jetesës dhe nxisin mundësi të reja ekonomike për qytetarët e Bujanocit.
Në fund, kryetari Pajaziti falënderoi ambasadorin Ferguson për mbështetje të vazhdueshme që Britania e Madhe ofron për shoqërinë civile në Bujanoc dhe Preshevë, duke përmendur projektet që janë tashmë në fazë realizimi dhe që mbështeten nga mjetet e siguruara nga shteti britanik./LUGINALAJMI/