Në një postim të fundit në Facebook, Kryetari i Dega të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Bujanoc, Ragmi Mustafi, ka shprehur shqetësimin e tij për 100 ditët e para të pushtetit multientik të përbërë nga “Fronti për Ndryshim” me të gjitha listat serbe dhe rome në Bujanoc. Mustafi e ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke theksuar se qytetarët e Bujanocit janë përballur me zhgënjim, stagnim ekonomik, dhe mungesë transparence. Ai theksoi se pushtetarët aktualë janë të larguar nga realiteti i qytetit dhe nuk kanë ofruar asnjë strategji të qartë për zhvillimin e mundësive ekonomike dhe mbështetje për bizneset lokale. Sipas Mustafit, qeverisja aktuale ka krijuar një bashkim të njëanshëm që ka përjashtuar interesat e komunitetit shqiptar dhe ka thelluar ndarjet brenda qytetit, duke dështuar të ofrojë një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Ai gjithashtu e kritikon për mungesën e veprimeve në sektorët e rëndësishëm si bujqësia dhe organizatat joqeveritare, ku rebalansi i buxhetit ka lënë pas këto sektorë dhe ka dëmtuar drejtpërdrejt komunitetin. Mustafi theksoi gjithashtu se pastrimi dhe mirëmbajtja e qytetit kanë mbetur në vendnumëro, duke e kthyer qytetin në një gjendje të papranueshme, dhe se nuk është parë asnjë përpjekje reale për të përmirësuar ambientin. Një tjetër kritikë e fortë ka qenë për nepotizmin dhe punësimet e bazuara në lidhje personale, ku, sipas Mustafit, pushteti ka vendosur interesat familjare mbi kompetencën dhe ka preferuar të punësojë të afërmit e funksionarëve, duke përjashtuar individët e aftë që mund të sjellin ndryshim. Ai përfundon postimin e tij duke theksuar se qytetarët e Bujanocit meritojnë një qeverisje që punon për interesin e përbashkët, që është e hapur dhe transparente, dhe që është e angazhuar për zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Në fund, ai ndan edhe një moment të bisedës së dëgjuar në një kafene të Tërnocit, ku një banor i thotë tjetrit: “Si është e mundur që të gjitha gratë e funksionarëve janë punësuar?” dhe përgjigja ishte: “Në Bujanoc kemi zbuluar formulën e suksesit: mjafton të martohesh me njeriun e duhur!” Ky postim i Mustafit, në fakt, është një thirrje për një ndryshim të thellë në menaxhimin e pushtetit lokal, duke kërkuar një qeverisje më të përgjegjshme dhe të orientuar drejt interesave të qytetarëve të Bujanocit./LUGINALAJMI/