Në vazhdën e takimeve të zhvilluara në Bujanoc, Ambasadori i OSBE-së në Beograd, Jan Braathu, ka zhvilluar një takim me u.d. drejtorin e Trupit Koordinues për Komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nenad Mitroviq. “Sipas OSBE-së, takimi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe autoriteteve lokale dhe kombëtare për të mbështetur integrimin e pakicave kombëtare në Serbi.”
Në një postim në facebook, Misioni i OSBE-së në Serbi, njoftoi se do të vazhdojë partneriteti me autoritetet për të promovuar një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke u angazhuar për një dialog të hapur dhe konstruktiv në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ky bashkëpunim synon të sigurojë përfitime domethënëse për të tre komunitetet në rajonin e jugut të Serbisë, me fokus të veçantë në avancimin e të drejtave dhe mundësive për pakicat etnike.
Misioni i OSBE-së dhe Trupi Koordinues do të mbeten të përkushtuar për të arritur rezultate të prekshme në mbështetje të një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku të drejtat e të gjitha grupeve etnike janë të garantuara./LUGINALAJMI/