Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, e cila ka refuzuar ankesën e Safet Demirit për kthimin e adresës, e cila ishte pasivizuar nga autoritetet serbe. Kamberi ka shpërndarë një postim në Facebook, ku e ka cilësuar këtë vendim si një konfirmim të legjitimimit të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në statusin e tij, Kamberi thekson se Safet Demiri, një qytetar shqiptar i Medvegjës, kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe iu ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar drejtësi, por kjo e fundit e ka refuzuar kërkesën, duke e konsideruar atë të pabazuar dhe duke e mbyllur si çështje.
Kamberi e akuzon Gjykatën Kushtetuese për kapje nga sistemi dhe për mbështetje të politikave shtetërore që kanë për qëllim diskriminimin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve, duke përfshirë edhe procesin e pasivizimit të adresave. Ai shton se ky vendim pasqyron mungesën e demokracisë dhe autoritarizmin e shtetit serb.
Deputeti shqiptar fton qytetarët e pasivizuar të nisin procedura gjyqësore për kthimin e adresave dhe nxit që rastet e tilla, si ai i Safet Demirit, të shqyrtohen në instancat më të larta ndërkombëtare të drejtësisë. “Strasburgu është adresa e radhës për ta vazhduar betejën!” përfundon Kamberi./LUGINALAJMI/