Piktura e Enes Imerit, nxënës i vitit të IV-të në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, është përzgjidhur për të qenë pjesë e kalendarit të EuPro 2025. Lajmin e ka bërë të ditur shkolla përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Enesi, i cili mori pjesë në konkursin e artit me temën “Teknologjitë e reja për një botë më të mirë”, arriti të renditet ndër 12 punimet më të mira nga gjithsej 178 punime të dërguara nga shkollat e mesme. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ai u shpërblye me një telefon dhe diplomë nga EuPro.
Ky projekt kishte për qëllim të inkurajonte të rinjtë të përdorin kreativitetin dhe aftësitë digjitale për të treguar se si teknologjia mund të përmirësojë jetën e njerëzve dhe të transformojë botën përreth nesh.
Kujtojmë se pikturat e Enes Imerit janë vlerësuar lartë edhe nga profesorët e shkollës, të cilët e cilësojnë atë si një talent të jashtëzakonshëm.